E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqësori me makina shtetërore, Kushtetuesja pezullon draftin

TIRANE- Kryetarët e gjykatave të të gjithë niveleve në vend si dhe gjyqtarët do të kenë të drejtë të lëvizin me automjete shtetërore deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka pezulluar sot veprimin e ligjit të qeverisë e cila përjashton zyrtarët e lartë nga përdorimi i automjeteve shtetërore.
Në një seancë të posaçme, Kushtetuesja vendosi që kategoria e gjyqtarëve dhe krerëve të të gjitha niveleve të gjyqësorit të përjashtohet nga ky kufizim deri në një vendim përfundimtar.
Unioni i gjyqtarëve kishte ankimuar disa dispozita të ligjit në fjalë si antikushtetuese. Vendimi për përjashtimin e zyrtarëve nga e drejta e përdorimit të automjeteve zyrtare u morr në fillim të tetorit nga qeveria dhe u miratua më pas në Kuvend.

Nga e drejta e përdorimit të makinave përfshihen deputetët si dhe nivelet e dyta dhe të treta të qeverisjes, të Presidencës, të institucioneve kushtetuese dhe të tjera. Njëherazi ligji parashikon dhe kufizim lëvizjeje për Presidentin, kryeparlamentaren, kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, që duan të lëvizin në fundjavë, me makinën e shtetit, pa paguar 50 mijë lekë në vit. Deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, të cilët kishin në dispozicion makina me shofer për transportin e tyre, tashmë duhet ta sigurojne vetë atë. Në lidhje me deputetët dhe kryetarët e bashkive të tjera të mëdha të vendit, ligji parashikon dhënien e një bonusi prej 45 mijë lekë në muaj, në mënyrë që ata të përballojnë vetë shpenzimet për transportin e tyre.

Nga ana tjetër, sipas draftit, bonuse do t'i jepen edhe zyrtarëve të tjerë, në sasi më të ulëta, Qeveria pretendon se me këtë ligj buxheti i shtetit kursen së paku 30 milionë dollarë në vit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›