E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA: Tirana e Vllaznia të përfshira në baste

UEFA ka zbuluar emrat e ndeshjeve të para që janë dyshuar si të trukuara si rrjedhim i skandalit të basteve që ka përfshirë Evropën. Në takimin e krerëve më të lartë të këtij institucioni që nisi në mesditën e të mërkurës në Zvicër, është bërë e ditur se dy klube shqiptare Tirana dhe Vllaznia, janë përfshirë në skandalin e basteve në ndeshjet e tyre në Kupat e Evropës. Bëhet fjalë për ndeshjen e kthimit të Champions League, Stabaek-Tirana e cila përfundoi me fitoren e kampionëve të Norvegjisë 4-0 si edhe për dy ndeshjet mes Vllaznisë dhe Rapidit të Vjenës, e para e zhvilluar në Vjenë dhe e fituar 5-0 nga austriakët dhe e dyta në Shkodër, ku sërish Rapidi fitoi 3-0. Por, pas akuzave të bëra atëherë në shtyp, gjithçka mbeti në heshtje. Vetëm pak ditë më parë, pas skandalit të hetuar nga Prokuroria e Bokumit në Gjermani, që ka sjellë arrestimin e 17 personave në Gjermani e Zvicër, UEFA ka kërkuar informacione edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Një gjë e tillë është pohuar nga burime zyrtare të këtij institucioni, ku prej ditësh pritej zbardhja e listës së ndeshjeve të dyshuara si të trukuara. UEFA ka bërë të ditur në faqen e saj zyrtare se deri më tani, 7 klube janë zyrtarisht nën hetim: ata janë Tirana e Vllaznia nga Shqipëria, Dinaburgu në Letoni, Ljubjana në Slloveni dhe Budapest Honved në Hungari. Akuzat ndaj klubeve shqiptare janë të zakonshme kur ato luajnë në Kupat e Evropës dhe vitet e fundit janë shpeshtuar. Por, masat gjithnjë kanë munguar, si nga Federata ashtu edhe nga UEFA. Tashmë hetimi i nisur nga Prokuroria e Bokumit me mbështetjen e UEFA-s mund të sjellë një fazë të re në këtë sëmundje të sportit të sotëm. Vetëm pak muaj më parë në Shqipëri u miratua ligji kundër shitjes së ndeshjeve që parashikon deri në 7 vjet burg për abuzuesit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›