Ekstradohet Karaxhiç, sot përballet me Gjykatën e Hagës
Përgatiti: Blerina OLLDASHI
Ish udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç u transferua në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës nën masa të rrepta sigurie. Sot rreth orës 17.00 të mbasdites Karaxhiç do të dalë në seancën e parë gjyqësore në Hagë, ku do të dëgjojë dhe akuzat që janë ngritur kundër tij për genocide e krime lufte në Bosnjë. Avioni me të cilin u transportua ish udhëheqësi i lartë, u ul në aeroportin e Roterdamit në Hollandë rreth orës 06.30 dhe më pas Karaxhiç u transeferua në burgun Sheveningen që ndodhet 25 kilometra, larg Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ku do të gjykohet për masakrën e Srebrenicës që është më e përgjakshmja në Europë pas luftës së dytë botërore. Ditën e mërkurë në orët e para të mëngjesit i shoqëruar nga një autokolonë me agjentë dhe forca të sigurisë, me fytyrë të mbuluar Radovan Karaxhiç u lëviz nga ndërtesa e Gjykatës në Beograd ku mbahej që nga java e kaluar drejt auroportit të Beogradit. Akuza që rëndon mbi të është genocid, krime kundër njerëzimit dhe rolin si udhëheqës në masakrën e Srebrenicës gjatë luftës së Bosnjës më 1992-1995, ku u vranë 8 mijë myslimanë por edhe në lidhje me rrethimin e kryeqytetit Sarajevë. 63 vjeçari, në arrati prej 13 vitesh, propovoi të sfidonte ligjshmërinë e ekstradimit të tij duke dërguar në minutën e fundit para skadimit të afatit, por deri të martën nuk kishte mbërritur në Hagë, duke e detyruar ministrin serb të Drejtësisë që të nxirrte urdhërin për ekstradim. Ministri i Drejtësisë serbe konfirmoi se kishte autorizuar transferimin e Karaxhicit për në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe kjo në bazë të ligjeve serbe dhe të bashkëpunimit me Hagën. “Vendimi pasoi vendimin e gjykatës së Beogradit e cila konfirmoi se ishin plotësuar të gjitha kushtet për të lejuar ekstradimin e Karaxhiçit”,- thuhet në deklaratën për shtyp të ministrit. Ndërkohë të martën në mbrëmje, mbështetësit e tij të shumtë në numër zhvilluan një tubim proteste në Beograd ku mbetën të plagosur rreth 40 persona. Tubimi u organizua nga partia ultranacionaliste serbe dhe partia Radikale. Nënsekretari i Përgjithshëm i partisë Nebojsha Stefanoviç, u shpreh se tubimi nuk ishte vetëm për transferimin e Karaxhiç. “Tubimi është për Serbinë, madje diçka më shumë se vetëm për Radovan Karaxhiçin. Është një përpjekje për liri, demokraci, sepse ne besojmë se regjimi i Boris Tadiçit është duke u përpjekur tani të shtypë çdo liri mendimi apo çdo opinion tjetër madje edhe në shërbimet publike, median publike”,- tha Stefanoviç. Përleshjet shpërthyen mes policisë dhe disa qindra protestuesve gjatë fjalimeve të fundit në tubim. Policia përdori gaz lotsjellës mbi protestuesit e armatosur me gurë dhe mjete djegëse.
31 Korrik 2008