E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon shuma e kontributeve për sigurimet shoqërore



Emanuela Sako

Ndryshon shuma e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore sipas kategorive të përcaktuara. Vendimi më i fundit i qeverisë vendos tarifat e reja që do të paguajnë të punësuarit në shtet për sigurimet. Qeveria përcakton kontributin minimal që do të paguajnë të gjithë shtetasit sipas degëve të sigurimeve shoqërore. Sipas vendimit të qeverisë shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1.7.2008 e në vazhdim, do të jetë 4 879 (katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë. Ligji i ri përcakton pagesën e kontributeve sipas disa afateve që përcaktohen në ligj.
Kategoritë e përfshira
Përcaktohen të gjitha kategoritë që do të paguajnë sigurimet shëndetësore. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave u vendos për të gjitha kategoritë që do të sigurohen, procedurat që do të ndiqen dhe mënyra e pagesës së kontributeve. Kështu, disa kategori punonjësish janë të detyruar të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe pjesë e këtij sistemi janë rreth 11 kategori punonjësish. Në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë pjesë e mbrojtjes dhe e sigurimit të detyrueshëm janë të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë, të plotë ose të pjesshme. Kjo kategori duhet të plotësojë më shumë se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurimin shëndetësor. Po kështu, të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe në sigurimin shëndetësor. Në kategoritë që do të përfitojnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga shteti do të përfshihen të gjithë të
të punësuarit me kontratë pune, me afat më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivelin minimal, për aksidente në punë, sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor.
Pjesë e përfshirjes në pagesën e të siguruarve janë edhe pronarët që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët, si të punësuar pranë shoqërisë, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor. Pjesë e sigurimeve të detyrueshme bëhen edhe personat fizikë, të vetëpunësuar, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, pavarësisht nga kohëzgjatja e saj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor. Të mbrojtur nga shteti për çdo rast fatkeqësie apo pjesë e atyre që janë të detyruar t’iu paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore janë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pensionit. Kjo kategori përjashtohet nga rregullorja kur janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë dhe banojnë në të njëjtin nënqark, ku kanë tokën në pronësi ose në përdorim, dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrëlindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor. Mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm bëhet kur
nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në fshat dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë, në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në nënqarkun fqinj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrëlindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.
Njëkohësisht mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm bëhet në rastet kur pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë por që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivel minimal, për barrëlindje, për pensione dhe sigurim shëndetësor. Ndërsa personat mbi 16 vjet, që punojnë në ndërtime të ulëta vetjake, për të cilat jepet leje nga komuna ose bashkia, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor. Pjesë e përfshirjes në këtë ligj bëhen edhe personat fizikë, të vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulantë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, kur nuk janë të siguruar si punëmarrës a si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, sigurohen, në mënyrë të detyrueshme, vetëm për degën e pensioneve. Si persona të vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, janë personat, që vetëpunësohen në veprimtari të përkohshme e të vijueshme, por pa një vend qëndrimi apo shërbimi të përcaktuar. Po kështu si persona të vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, janë personat, që vetëpunësohen në veprimtari të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vend qëndrimi apo shërbimi të përcaktuar;
si dhe personat në veprimtari tregtare në tezga, pa vendqëndrimi të përhershëm ose në mjete, që lëvizin;
në veprimtari transporti, me ndërprerje gjatë javës. Në mbrojtjen dhe sigurimin e detyrueshëm përfshihen të gjithë personat me të ardhura të rregullta nga pronësia që janë mbi moshën 16 vjeç dhe që paguajnë kontribut të detyrueshëm vetëm për sigurimin shëndetësor. Pjesë e skemës së të siguruarve që mbrohen me ligj për sigurimet janë edhe edhe nxënësit e shkollave të mesme apo profesionale, studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore, të cilët sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë, për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet subjektit dhe institucionit përgjegjës. Njëkohësisht, pjesë e këtij ligji bëhen edhe shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të punësuar, ose të vetëpunësuar, në subjekte të regjistruara për efekte fiskale mbrohen dhe sigurohen në mënyrë të detyrueshme.
Kategoritë që përjashtohen
Nga vendimi i qeverisë përjashtohen nga mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm disa kategori personash. Ndër kategoritë që përjashtohen janë personat që punojnë në subjekte, të cilat në bazë të një akti qeveritar, nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare. Po kështu, përjashtohen nga kjo listë pjesëtarë të subjekteve të huaja, që nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare, të cilët vijnë në Shqipëri të punojnë në një punë apo shërbim të caktuar sipas një kontrate shërbimi, të lidhur me një subjekt të regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili nuk është degë apo njësi e subjektit kontraktor. Përjashtohen nga ligji i sigurimeve ata persona me rezidencë të përhershme jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët kanë veprimtari të regjistruara në emrin e tyre, në të dyja shtetet. Kjo kategori do të jenë subjekt i mbrojtjes dhe sigurimit të detyrueshëm në atë vend ku kanë rezidencën, vetëm nëse shteti i tyre ka një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me shtetin shqiptar.
Mbeten jashtë përfshirjes ata që janë të përjashtuar nga pagimi i kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, në Shqipëri, në bazë të një marrëveshjeje, të lidhur me shtetin shqiptar.
Paga bruto dhe paga minimale
Paga bruto për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës. Kjo pagë është e përcaktuar sipas rastit, me kohë ose vëllim pune, dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.
Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nuk përfshihen:
përfitimet që punëmarrësi merr, në mënyrë të përhershme, nga fondet e sigurimeve shoqërore;kompensimet nga rritja e çmimeve;
dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm; të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate; vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;
Po kështu, në pagën bruto nuk përfshihen shpërblimet me karakter jo të përhershëm, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundje të gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore dhe për veprimtari të shquara;
vlera e shpenzimeve, për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit; honoraret apo shpërblimet e tjera, të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës. Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, do të jetë jo më pak se 14 830 ( katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekë, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 74 150 (shtatëdhjetë e katër mijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë.

LLOJET, SHUMA DHE SHPËRNDARJA E KONTRIBUTEVE

1. Shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 4 879 (katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë. Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit, të jetë:

për qind në lekë
Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.8 119
Dega e sigurimit të barrëlindjeve 2.3 341
Dega e sigurimit të pensioneve 23.9 3 544

Dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale
0.5 74;
Dega e sigurimit të papunësisë 2.0 297
Sigurimet shëndetësore 3.4 504

2. Në ndryshim nga pika 1, e kreut III, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të jetë 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 038 lekë.

3. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarin, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 32.9 për qind e pagës bruto mujore, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 21.7 për qind dhe pjesa e të punësuarit 11.2 për qind. Kontributet të llogariten nga punëdhënësi, mbi pagën bruto, të përcaktuar në këtë vendim. Ai mban nga paga e punëtorit 9.5% për sigurim shoqëror, dhe 1.7%, për sigurim shëndetësor, dhe së bashku me pjesën e tij 20 % të pagës, për sigurim shoqëror, dhe 1.7 % të pagës, për sigurim shëndetësor, e deklaron dhe e paguan në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.

4. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 30.1 % të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 19.1 për qind dhe pjesa e të punësuarit 11 për qind, por jo më pak se niveli minimal i pagës bruto, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.

5. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se një javë, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 3.9 % të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 2.2 për qind dhe pjesa e të punësuarit 1.7 për qind, por jo më pak se niveli minimal i pages mujore, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.

6. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind ( 26.2%, sigurim shoqëror, dhe 7 %, sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 14 830 ( katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, të barabartë me 4 924 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e katër) lekë në muaj. Këta persona llogaritin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.

7. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.9.2008 e në vazhdim, paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind ( 26.2%, sigurim shoqëror, dhe 7 %, sigurim shëndetësor), të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, e barabartë me 4 924 lekë në muaj.

8. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për personat, që kryejnë ndërtimet e ulëta vetjake të të tretëve, sipas përcaktimeve në paragrafin e fundit, të nenit 20, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, do të jetë i njëjtë si edhe për të punësuarit e tjerë. Kontributet llogariten dhe paguhen në komunë ose bashki nga personi, i cili ka marrë lejen e ndërtimit.

9. Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, sipas përcaktimeve në këtë vendim, nga data 1.7.2008 e në vazhdim të deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 000 ( një mijë) lekë.

10. Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, e që nuk janë të punësuar diku tjetër, duke filluar nga 1.7.2008 e në vazhdim, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë ) lekësh.

11. Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 7 800 (shtatë mijë e tetëqind) lekë.

12. Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të derdhin kontribut mujor, për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, në masën 5 për qind të shumës 5 600 (pesë mijë e gjashtëqind) lekë në muaj, për zonat fushore, ndërsa në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, kontributi është në masën 3 për qind të shumës 5 600 (pesë mijë e gjashtëqind) lekë në muaj.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›