TE HUMBESH NUK ESHTE TURP, POR KUR…
Arben Sinojmeri
Vite më parë, kur ashtu fshehurazi mendonim dhe ndoshta dikush mund të abstragonte për demokracinë si nocion, koncept filozofik, si një e drejtë që shumë kombe e aspironin, edhe unë si student në Histori, mendoja se, demokracia si një ndërthurja universal vlerash, morale, politike, filozofike dhe mbi të gjitha njerëzore, nuk do të ishte kaq e vështirë për popullin tonë që, ka aspiruar për të përjetësisht …
Demokracia si e drejtë dhe institucion i popujve është në njëfarë mënyrë privilegj i kombeve të qytetëruara, të emancipuar që aspirojnë për më shumë liri dhe dimensione e të drejta demokratike. Ajo është shumëdimensionale, universale ku doktrinat, alternativat, idetë, rrymat, filozofinë, mentalitetet ballafaqohen, përplasen, konkurrojnë për më të mirën, për atë që është më gjithëpërfshirëse dhe që rrok shumicën e vullnetit të sovranit popull. Këtu qëndron edhe substanca e bërthamës së demokracisë, adrenalina e shoqërisë njerëzore, ndaj popujt në shekuj luftojnë e flijohen, për ta fituar dhe mbrojtur atë. Në përgjithësi të gjithë popujt gjatë proceseve evolutive të zhvillimit të tyre u është dashur shumë kohë dhe sakrifica për të arritur dhe përfituar frytet që, demokracitë si formacione politiko - shoqërore sjellin. Shpresojmë që edhe ne shqiptarët, në këto vite të vetërrjedhjes së demokracisë së brishtë e në mungesën e eksperiencës se dhimbshme së trashëguar e që për ironi vazhdon të na shoqërojë, të mund të kemi përfituar aq sa për të kuptuar atë që demokracia ka në qelizë; garën për zgjedhjet, të drejtën për të zgjedhur e votuar, ky mekanizmi magjik që çon përpara shoqërinë ...
Jo pa qellim e fillova kështu këtë refleksion filozofik. Ishin zgjedhjet e komunës së Kasharit këtu, shumë afër qendrës së Tiranës, të cilat vunë përballë katër kandidatë për postin e kryetarit të komunës të mbetur vakant, duke bërë të pushtohen mediat televizive me deklaratat të gjithë lidershipit politik kandidatët e të cilëve garuan.
Por, ajo që realisht me vuri përballë vetes, ndërgjegjes për të kërkuar edhe mendimin tuaj miq zgjedhës, simpatizantë dhe anëtarë të forcës time politike ishte mënyra e veçantë se si përfaqësuesit tanë e përcollën këtë fushate të rëndësishme zgjedhore. Kjo përfaqësuese i trajtoi këto zgjedhje në komunën e Kasharit, në një mënyrë që të gjithë ne u ndjemë keq.
Qëndrimi ndaj këtyre zgjedhjeve ishte hapur mungese respekti për popullin dhe zgjedhësit që votojnë, injorim i kandidateve që duan të marrin përgjegjësi dhe të përfaqësojnë vlerat e forcës që ata e duan dhe respektojnë me gjithë seriozitetin. Mungesa e respektit ndaj garës zgjedhore, kandidateve pa dallime se kujt force i përkasin dhe ne të gjithëve që shpresojmë në vlerat dhe universalitetin e demokracisë ishte mëse evidente në deklaratën që artikuluan figura të njohura …
Ndjesia që mora nga ky komunikim ishte sa gri aq dhe e trishtueshme, ndryshe nga impresionet e mara gjatë këtyre ditëve ku pata rastin dhe rashë në kontakte me atmosferën e një gare të bukur demokratike për zgjedhjen e Kryetarit të Ri në komunën e Kasharit, një “lagje” e bukur e qytetit tim që po duket sikur kërkon ti thotë Tiranës se edhe ajo mund të rritet dhe zbukurohet njësoj si ajo.
E gjithë qyteza kishte veshur rrobat e festës elektorale, banderat, posterat dhe banderolat të kujtonin se të dielën zhvillohej gara. Katër kandidatet shpalosnin në komunitetin e tyre programet dhe ambiciet, nën siglat dhe sloganet politike të partive që ata përfaqësonin. Fushata dukshëm tregonte qytetari, kulturë demokratike dhe kandidatët ishin të denjë në përballjen me njeri tjetrin.
Tani gara ka mbaruar dhe si gjithmonë njeri është fituesi, le ti urojme atij dhe forcës që e mbështet, më të mirën për komunitetin që e votoi, por dhe për ata që nuk e votuan ose zgjodhën një kandidat tjetër. Kështu ndodh në të tilla gara, kjo është demokracia, urohet, respektohet dhe falënderohet kandidati që fitoi shumicën e votave të votuesve. Pas kësaj, na takon të gjithëve ta mbështesim, ta ndihmojmë dhe inkurajojmë për të realizuar sa më mirë programin e tij, pasi kështu i shërbehet të ardhmes dhe konsolidimit të vlerave demokratike. Të gjithë ata që e zgjodhën dhe ne që nuk e zgjodhëm duhet të jemi kritikë dhe të pa tolerueshëm ndaj të gjitha devijimeve që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe interesat e komunitetit. Këtu roli ynë, i opozitës dhe i kundërshtarit politik, duhet të ngrihet në perfeksion, duke u bërë një faktor i vërtetë i gjenerimit të vlerave demokratike në luftë me çfarëdo deviacioni. Të gjitha forcat politike në funksion të lojës politike u prononcuan, falënderuan kandidatët, punën e tyre dhe stafeve, nxorën edhe mangësitë për t’u përgatitur më mirë në garat e ardhshme elektorale që presim në vazhdim. Bukur madje edhe shumë demokratike kjo. Megjithatë, ajo që më ngacmoi për të bërë këtë analizë nuk është shkaku pse nuk fitoi kandidati që përfaqëson PS-në, edhe pse është një djalë shumë i mirë, një drejtues dhe organizator i vërtetë i Partisë Socialiste…! Por, më ngacmon edhe mënyra e paturpshme se si “zëdhënës” të kësaj force e trajtuan humbjen e pa tolerueshme të radhës që Partia Socialiste pësoi. Fjalëmbajtësit gati sa nuk pyetën anëtarët e thjeshtë të PS-së se “për çfarë zgjedhjesh behej fjalë”, a thua se socialistët e Kasharit nuk janë në Republikën e Shqipërisë. Kjo ironi cinike është e turpshme dhe e pa pranueshme për çdo zgjedhës, e jo më pastaj të pranohet nga socialistët. Nuk mund të mbahet ky qëndrim ndaj anëtarëve të thjeshtë, zgjedhësve që na mbështesin dhe votojnë, qytetarëve të disiplinuar të palëkundur ndaj programit dhe reformave të socialistëve, atyre që shkojnë në orë 07:00 në kutinë e votimit, votojnë dhe qëndrojnë atje për të ruajtur dhe mbrojtur rezultatin, me të vetmin përkushtim që të fitojë e vërteta dhe alternativa e tyre. Qëndrimi që PS-ja mbajti ndaj kësaj fushate, që për fat të keq nuk ishte e para në radhën e humbjeve që, më obligoi të jem ndryshe në këtë shkrim.
Ajo që dua të them është se duhet të bëhemi vetvetja, koshientë dhe kontribuues për të ndalur rrokullimën që rrezikon të shndërrohet në një stereotip negativiteti duke na marrë zvarrë, fushatë pas fushate. Askush nuk e ka te drejtën që me mandatin që socialistët i kanë dhënë, të na tallë dhe injorojë të gjithëve. Askush nuk e ka të drejtën ta quaj këtë garë si një garë mes “dy individeve”. Nuk jemi aspak dakord nëse problemi trajtohet në këtë mënyrë. Garat elektorale kanë qenë, janë dhe do të mbeten si pjesa më substanciale e demokracisë dhe politikës me synimin e luftës për të marrë pushtetin me votë në demokraci, qofshin këto zgjedhje lokale apo kombëtare. Ndaj është e bukur demokracia.
Nëse do ti trajtojmë me këtë masë naiviteti që nuk e besoj se ishte kjo arsyeja, të gjitha këto beteja që fillojnë me Shijakun e përfundojnë tek Kashari si gjoja, gara midis individësh, kam frik se këtu ndeshim humbjen e orientimit filozofik dhe politik të partisë. Për mua kjo është sa e dëmshme aq edhe e rrezikshme. Qëndrime të tilla çorientojnë organizatat, demotivojnë elektoratin dhe simpatizantët. Ato janë një ogur jo i mirë për të mos thënë i zi, për të ardhmen. Nuk ka nevojë të bëjmë leksione për politikën dhe as për rolin që luajnë zgjedhjet e pjesshme në një periudhë kohe mes zgjedhjeve të përgjithshme. Shumëkush e di dhe e kupton që zgjedhjet parciale janë një kolaudim dhe test për të gjitha forcat politike, si ato që e kanë dhe ato që duan të marrin pushtetin. Kjo është aksiomë dhe nuk ka nevojë asnjëri ti injektohen broçkulla të tilla si ato që dëgjojmë në televizione, për gara mes individësh, athua se po garonin me biçikletë a me...
Humbja e radhës në këtë garë duhet t’i zgjojë të gjithë anëtarët, simpatizantët, përfaqësuesit lokalë dhe qendrorë të PS-së, mbarë elektoratin socialist duke e shndërruar këtë moment në një fushatë analizash në tërë spektrin e partisë. Socialistët duhet të analizojnë me përgjegjësi shkaqet e humbjeve të njëpasnjëshme, me kurajë dhe objektivitet pa i shfrytëzuar këto humbje zgjedhore për revansh ndaj njeri tjetrit. Këto analiza do t’u shërbejnë për të shëndoshur trupin ndaj dhe s’ka arsye pse të mos bëhen...!
Kjo duhet bërë dhe kërkuar të realizohet nëpërmjet analizave të plota transparente ku të mund të dëgjohen zërat e atyre që përbëjnë thelbin e socialisteve shqiptarë, organizatat e Partisë Socialiste, Forumi Eurosocialist dhe Forumi i Gruas Socialiste, që për fat të keq më duket sikur vetëm në disa reshta gazetash i gjejmë. Këto ingranazhe duhet të lëvizin dhe të marrin dimensionet e tyre reale nëse nuk duam që të dëgjojmë përsëri se “zgjedhjet politike të 2009 si gara e 140 individëve e shumëzuar për aq Parti, apo nuk patën ndonjë gjë interesante …; për në socialistet rëndësi kane ato te 2013”…
Gjatë kësaj periudhe në opozitë shpesh kemi pyetur njëri tjetrin për shumë..??? Ka pasur edhe më të guximshëm që kanë thënë më duket se “busulla” ka defekte… ju ka munguar ndoshta bindja dhe informacioni i plotë “teknik” për të thënë ndoshta që, ajo mund të jetë prishur…
Me të drejtë socialistët kanë kërkuar të dinë se çfarë po ndodh… Kanë pyetur në organizata, deputetin, përfaqësuesin që na “përfaqëson”, por përgjigjet iu kanë munguar, madje si në ëndërr atyre iu shfaqet “lista” dhe ashtu si në përhumbje ngushëllojnë veten; ehhh lista, ajo e ka fajin…!
Nuk do të kisha qenë kaq i drejtpërdrejtë dhe kritik, nëse do i ishte dhënë vlerësimi i duhur, angazhimi maksimal i strukturave të PS-së, mobilizimi i plotë i potencialeve njerëzore dhe analiza e thellë dhe shumëplanësh për çdo fushatë. Janë pikërisht këto arsyet që socialistët morëm dhe vazhdojnë të marrin këto rezultate në të gjitha betejat pas vitit 2005 në opozitë. Ajo që të bën përshtypje dhe që dikujt nuk i jep asnjë lloj ndjesie është se PS-ja humbet dhe vazhdon përsëri të humbasë dhe askush nuk mban përgjegjësi… A duhet të mbajë përgjegjësi Partia Socialiste në Tiranë për humbjen në Kashar? A e bëri ajo analizën e kësaj fushate dhe të nxjerrë shkaqet pse erdhi kjo humbje? E të tjera pyetje që…
Si mundet që në një zonë të tronditur nga përmasat e korrupsionit të qeverisjes vendore të demokrateve, kur pushtetmbajtësit e tyre janë sot përpara Drejtësisë për vjedhjen e pasurive te bashkëqytetarëve të tyre, zgjedhësit përsëri votojnë në shumicë për PD-në?
Këto pyetje dhe këto analiza duhet t’u shërbejnë socialistëve për t’u zgjuar nga gjumi letargjik dhe të gjejnë shkaqet për t’i korrigjuar gabimet që po na shoqërojnë fatalisht. Në konceptin tim ky fenomen i zinxhirit të zgjedhjeve të humbura ka vetëm një shpjegim; mungesën totale të punës së partisë në rreth e në qendër për të drejtuar, udhëhequr këto fushata, fodullëkun mesjetar për të mos u marrë dhe zgjidhur mosmarrëveshjet mes vetes dhe të majtës në përgjithësi, koncept ky që rrezikon ta lërë edhe në 2009-n PS-në në opozitë. Socialistët nuk mund të tolerojnë më, pra të lënë që problemet të kalojnë njëri pas tjetrit, humbjet e radhës të zëvendësohen ciklikisht njëtrajtshëm nga humbja që vjen. Nuk mund të vazhdojnë të rrugëtojnë në një autobus ku askush nuk flet, askush nuk pyet, askush nuk di ku shkojnë …
31 Korrik 2008