Zanieri informon Thaçin për bisedimet në Beograd
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri është takuar dje me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi të cilit i komunikoi rezultatet e bisedimeve me autoritetet serbe dhe bisedimet që do të nisin mes Prishtinës dhe Beogradit. Zanieri sqaroi se pozicioni i tij është që t’i lehtësojë bisedimet me Beogradin, e jo të ndërmjetësojë apo negociojë në emër të Kosovës. Ndëhë, pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Thaçi u shpreh se Prishtina do të bisedojë për çështje praktike me Beogradin por nuk do të negociojë në asnjë mënyrë për çështjet e saj të brendshme që prekin sovranitetin shtetëror të Kosovës. Zanieri u shpreh se kishte njoftuar kryeministrin kosovar për vizionin e Kombeve të Bashkuara në lidhje me rolin e ri të UNMIK-ut në Kosovë, si dhe për përgatitjen e takimeve teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ku ai do të ketë rolin e lehtësuesit të këtyre takimeve.
Shpërndahen pasaportat e para të Republikës së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dje pasaportën e parë të Republikës së Kosovës. “Qytetarët e Kosovës tashmë kanë identitetin e tyre shtetëror, si shtetas të Republikës së Kosovës dhe kështu po kompletohet ndërtimi i shtetit”,- u shpreh kryeministri Thaçi të mërkurën në ceremoninë solemne të dhënies së pasaportave të para të shtetit të Kosovës. Pas dhënies së pasaportës së parë Teuta Begollit, qytetare nga Prishtina, Thaçi e vlerësoi këtë ditë si historike në periudhën e re të Kosovës.MË herët UNMUK-u njoftoi se nuk do të lëshonte më dokumenta udëhtimi, pasi shteti i ri tashmë do të kishte mjetet e tij të identifikimit për t’u prezantuar.
31 Korrik 2008