E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret kunatin, shkak sherri për ndërrimin e fëmijëve në maternitet



BULQIZË – Dyshimi për një ngatërrim foshnjash në maternitetin e Peshkopisë mes kunetërish është bërë shkas për një krim të rëndë. Pretendimet 11 vjeçare të Vladimir Licës se djali i kunatit është i tiji, kanë marrë përgjigje përmes dhunës, e cila është pasuar me vdekje e 40-vjeçarit në Spitalin Rajonal të Peshkopisë. Shefki Lila ka masakruar vëllanë e gruas së tij duke i dhënë fund debateve disavjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Çerenec i Epërm, në rrethin e Bulqizës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë të ditur se është prangosur shtetasi Shefki Lila. Autori i këtij krimi sapo kishte dalë nga dhomat e paraburgimit të policisë, pasi ishte kapur nga forcat e policisë së kufirit për trafik viçash kontrabandë nga Maqedonia. Sipas dëshmisë së personit të arrestuar, Lica ka shkuar në banesën e tij, në gjendje të dehur, dhe me një thikë në dorë, ka tentuar ti rrëmbejë fëmijën e tij, Fatjon Lila.
Konflikti
Burime nga fshati Çerenec, në komunën e Gjoricës, në rrethin Bulqizë bëjnë me dije se dy kunetërit kishin konflikte prej disa vitesh. Vladimir Lica, pretendonte se djali 11 vjeçar, Fatjon Shefki Lila ishte i tij. Ky pretendim për atësinë e të nipit kishte bërë që marrëdhënies mes kunetërve të ftoheshin prej tre vitesh. Pikërisht për këtë arsye ata nuk kanë komunikuar me njëri-tjetrin. Të martën rreth mesditës, viktima kalon si rastësisht para shtëpisë së motrës, ku shprehet edhe një herë se Fatjoni 11-vjeçar është djali i tij, pasi është ndërruar në maternitet. Pas kësaj, në gjendje të rënduar psikike, ai ka shkuar në shtëpi ku dhe ka pirë alkool për ta përballuar këtë gjendje. Sapo ka rënë mbrëmja, rreth orës 20.30 minuta, 40 vjeçari Vladimir Lica, është drejtuar për tek shtëpia e motrës së tij, me një thikë në dorë, për të marrë djalin, të cilin e gjen para shtëpisë, duke iu drejtuar të nipit me fjalët; “Ti je djali im dhe duhet të vish me mua tek shtëpia ime”. I mituri është trembur dhe ia ka dhënë vrapit, duke hyrë në shtëpi, ku dhe ka njoftuar të atin, Shefkiun, i cili ka reaguar në moment, duke marrë një levë dhe në pragun e shtëpisë së tij, e ka goditur në kokë kunatin, Vladimir Lica. Ai është plagosur rëndë dhe menjëherë është dërguar në spitalin e Peshkopisë. Por, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, kjo ka qenë e pamundur, pasi goditja e kunatit të tij, ka qenë fatale. Burimet spitalore bëjnë të ditur se dje, rreth orës 5 të mëngjesit, 40 vjeçari Lica, ndërroi jetë.
Arrestimi
Autori i vrasjes, 39 vjeçari Shefki Lila, është gjetur nga policia në shtëpinë e tij, ku dhe i janë vënë prangat pa mbushur ende 24 orë, prej daljes nga dhomat e paraburgimit. Ai ishte ndaluar për kontrabandë viçash nga shteti fqinj i Maqedonisë. Tashmë ai rikthehet sërish në qeli, por kësaj radhe me akuzën e vrasjes. Burime në komisariatin e Policisë së Bulqizës bëjnë të ditur se autori i këtij krimi ka dhënë versione të ndryshme për ngjarjen. Fillimisht ai ka thënë se e ka shtyre viktimën, ku gjatë rrëzimit ai është dëmtuar në kokë. Më vonë ka pranuar se e ka goditur atë me gurë për ta larguar nga shtëpia, pasi ai kërcënonte për t’i marrë djalin e vetëm që kishte, të cilin e ruante si dritën e syrit.
Historia
Historia e këtij pretendimi ka nisur para 11 viteve, kur dy kunatat, gratë e viktimës dhe autorit të këtij krimi, ishin shtruar në të njëjtën ditë në maternitetin e Spitalit të Peshkopisë. Gruaja e Shefki Lilës, pas katër vajzave, lindi djalë, kurse kunata e saj, gruaja e Vladimir Licës, lindi vajzë. Fillimisht, gjithçka në këto dy lindje të njëkohshme të dy kunatave, u duk krejt normale, por me kalimin e viteve, viktimës i lindi dyshimi se djalin e kishte lindur gruaja e tij dhe jo e motra, pasi ajo kishte katër vajza dhe përsëri duhej të kishte lindur vajzë; dyshim ky shtohej dita-ditës. Burime nga policia, bëjnë të ditur se ky pretendim ishte thjesht një psikozë e krijuar tek viktima, që e “brejti” shpirtërisht atë për 11 vjet, por që pati një fund tragjik. Sipas zëdhënësit të policisë, materialet në ngarkim të Shefki Lilës i kanë kaluar prokurorisë së rrethit dhe ai do të akuzohet për “plagosje të rëndë me pasojë vdekje”

Testi i ADN-së, - të gjesh babanë për 78 mijë lekë

Nëse ka dyshime për atësinë e fëmijëve, mjafton analiza e ADN-së për të hequr të gjitha dyshimet. Një analizë e tillë mund të bëhet në Maternitetin “Mbretëresha Gjeraldinë” në Tiranë, e cila është e kushtueshme financiarisht. Për të mësuar të vërtetën do të duhet të paguash 78 mijë lekë dhe brenda 5 ditësh merr përgjigjen.
Sipas specialistëve që punojnë në këtë laborator, në të gjitha rastet kanë qenë burrat ata që kanë kërkuar që të provojnë atësinë e fëmijëve të tyre. Më së shumti, në laborator trokasin raste, që duan të zbardhen ose me vendim gjykate, por edhe pas divorceve, të cilat pretendojnë nëse fëmijët që kanë rritur janë realisht fryt i tyre ose jo.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›