Përplaset furgoni me makinën, plagosen 4 persona
LEZHË – Katër persona janë plagosur gjatë një përplasje mes një mjeti të transportit të udhëtarëve dhe një makine me targa të huaja, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në superstradën Tiranë- Lezhë. Një furgon me targa LA 66 43 A është përplasur me një veturë tip “Opel” me targa të huaja në superstradë, në vendin e quajtur Sanxhak, ku janë plagosur 4 persona, prej të cilëve dy në gjendje të rëndë. Të plagosurit në aksident janë: Gjergj Shpani, 53 vjeç, drejtuesi i furgonit, Pale Shpani, 47 vjeçe, bashkëshorte e drejtuesit të furgonit, e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe nipi i tyre 8 vjeç. Po ashtu, i lënduar mbeti edhe drejtuesi i mjetit tjetër, Rasim Buçaj, 35 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë për jetën për shkak të plagëve të marra. Zëdhënësja e policisë së Lezhës, Elona Nika, tha se të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia po punon për të zbardhur
shkaqet e aksidentit të rëndë.
Drejtori Premçi: Dosjet e vjetra, hetim për 60 policë të inkriminuar
GJIROKASTËR – Në listën e rreth 600 dosjeve të vjetra që janë rihapur tashmë, rezultojnë të jenë 60 doje, ku janë të përfshirë punonjës të strukturave të rendit. Kjo deklaratë është bërë nga kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i cili së bashku me zëvendësministrin e Brendshëm, Gent Strazimi po kryenin një inspektim në pikën doganore të Kakavijës. Reagimi erdhi menjëherë pas arrestimit të Refat Kanushit, polic i qarkullimit në Komisariatin e Tepelenës, i cili dyshohet se ka kryer një grabitje me armë në bashkëpunim 9 vjet më parë në aksin Tepelenë-Ballsh. Prençi deklaroi se strukturat e policisë së shtetit do të vazhdojnë të zbardhin të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur gjatë 18 vjetëve të fundit. Specialistët e kriminalistikës pranë Policisë së Shtetit janë duke hetuar mbi 600 dosje penale, nga të cilat 60 dosje i përkasin punonjësve të policisë. Punonjësit e policisë që janë implikuar në vepra të ndryshme penale, nuk do të gjejnë vend në radhët e Policisë së Shtetit. Drejtori Prençi dhe zëvendësministri Strazimiri bënë takime me krerët e Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës. Ata janë shprehur se kanë marrë garanci nga homologët grekë se nuk do të ketë radhë të gjata në kufi gjatë periudhës së verës.
Ndalohet i kërkuari, ishte dënuar për falsifikim dokumentesh
ELBASAN - Një 41-vjeçar, i shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, është ndaluar e më pas shoqëruar në polici nga ana e seksionit të kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit. Ndalimi është bërë, pasi ai akuzohet për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve”. Pajtim Bezati, lindur e banues në Elbasan, ka qene person i shpallur në kërkim, pasi një vit më parë Gjykata e Tiranës e kishte dënuar në mungesë me një vit heqje lirie për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve".
31 Korrik 2008