Punonjësit e tregtisë, mosha e daljes në pension dhe kushtet
Jonida Tashi
Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë përcaktuar kushtet e reja të daljes në pension për punonjësit e tregtisë. Mosha e daljes në pension është e ndryshme në bazë të kategorizimit të profesioneve dhe gjinisë. Sipas specialistëve, mosha e daljes në pension për të gjithë ata punonjës, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre në sektorë të tillë, si të tregtisë shtetërore e private, ata që kanë biznes privat si dhe kategori të tjera që punojnë në hotele të ndryshme si menaxherë, financierë deri te lokalet e shërbimit, kanë të drejtë të përfitojnë nga shtesa e korrikut, që u miratua nga qeveria, sapo të mbushin moshën e plotë të përfitimit. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, kjo kategori punonjësish merr pension të plotë kur mbush moshën 59 vjeç e 6 muaj.
Femrat
Kështu, nëse një femër që punon në sektorin e tregtisë, duke filluar nga data 14 korrik e këtij viti, ka mbushur moshën 59 vjeç, nuk ka të drejtë të përfitojë pension të plotë. E drejta e përfitimit në këtë rast lind më 14 janar të vitit 2009. Për këtë kategori (femrat), nëse sigurojnë 35 vjet punë, pavarësisht se ku kanë punuar, duke përfshirë këtu edhe faktin që për to njihet si vjetërsi pune, për efekt të pensioneve, edhe koha e vazhdimit të shkollës së lartë (kjo pavarësisht nëse është trajtuar me bursë ose jo, nëse shkolla e lartë ka qenë 4, 5 apo 6 vjet), kanë të drejtë që duke filluar nga korriku i këtij viti, të përfshihen në skemën e marrjes së pensioneve sapo të mbushin moshën 59 vjeç e gjashtë muaj. Gjithashtu, sipas ligjit të sigurimeve, për këtë kategori, një vit studimi në shkollën e lartë është i barasvlershëm me një vit pune të siguruar, kjo vetëm për efekt të llogaritjes së pensioneve.
Meshkujt
Ndërsa për meshkujt nga data që kanë punuar në sektorin e tregtisë, biznese e hotele, restorante, lokale apo subjekte të tjera shërbimi, përfitojnë pension pesë vjet më shumë sesa mosha e daljes në pension të grave. Punonjësit meshkuj të kësaj kategorie, profesionesh, moshën e daljes në pension për këtë vit e kanë 63 vjeç e 6 muaj. Në rastet kur individi plotëson moshën 63 vjeç, nuk ka të drejtë që të marrë pension të plotë, por do të dalë në gjashtëmujorin e dytë të vitit, atëherë kur i lind e drejta ligjore për t’u trajtuar me pension të plotë pleqërie. Sipas legjislacionit, për meshkujt nuk njihet si vjetërsi pune periudha e shkollës së lartë, por vetëm ajo e shërbimit ushtarak, e vërtetuar nëpërmjet shkresave përkatëse. Vendimi i nxjerrë pak kohë më parë nga qeveria për rritjen e pensioneve do të përfshijë të gjitha kategoritë. Kjo do të thotë se këtë rritje do të kenë mundësi t’a përfitojnë të gjithë pensionistët, pavarësisht aktivitetit në të cilin kanë qenë të punësuar. Madje, listës së përfitimit do t’i shtohen edhe pensionistët e rinj, që plotësojnë kriteret e marrjes së pensionit gjatë këtij viti.
Pension para kohe
Megjithatë, edhe kjo kategori profesionesh gëzon të drejtën që të përfitojë marrjen e pensionit para kohe(pension të reduktuar), pa plotësuar kriteret përkatëse. Për të marrë pension të pjesshëm, duhet aplikuar në tre vitet e fundit, para se të mbushë moshën e plotë të pensionit. Ndërkohë që, mund të operojë edhe me derdhjen e sigurimeve vullnetare. Për vitet e mbetura mund të bëhet sigurimi vullnetar i tyre, duke paguar për pjesën e mbetur të pasiguruar, kontributet që arrijnë në vlerën e 370 mijë lekë të vjetra në muaj, rreth 1 milion e 200 mijë lekë për çdo vit, që i mungon tabelës së plotë të periudhës së sigurimit. Në momentet që do të nisë marrja e pensionit, do të zbritet nga masa e përfitimit pjesa për vitet e mbetura të pasiguruara, në rast se merret pension i parakohshëm.
Mosha
Dalja në pension për të gjitha femrat që kanë qenë të punësuara në aktivitete të tilla, si ato pranë sektorëve të tregtisë shtetërore dhe private, që tani mund të jenë të punësuara pranë privatit, si dhe kategoria e punonjëseve në hotele sipas ndarjeve përkatëse, duke filluar nga menaxhere, financiere, deri te lokalet e shërbimit, kanë të drejtë të përfitojnë nga rritja e pensioneve të bëra në korrik, sapo të mbushin moshën e plotë të përfitimit. Sipas ekspertëve të fushës, duke u bazuar në këtë ligj, kjo kategori punonjësish merr pension të plotë kur plotëson moshën 59 vjeç e 6 muaj. Ndërsa për meshkujt që kanë punuar në sektorin e tregtisë, apo në biznese të tjera, si hotele dhe lokale, apo restorante e në struktura të ngjashme shërbimi, përfitojnë pension pasi kanë plotësuar edhe 5 vjet të tjerë më shumë punë sesa gratë. Kështu, sipas përllogaritjeve për këtë kategori, gjatë këtij viti mosha e daljes në pension është 63 vjeç e 6 muaj. Duke filluar që nga ky muaj, nëse plotësohet kjo moshë, atëherë kanë të drejtë të marrin pensionin së bashku me shtesat e bëra. Nëse një punonjës gjatë këtij muaji ka plotësuar moshën 63 vjeç, nuk ka të drejtë të marrë pension, duhet të presë gjashtëmujorin tjetër të vitit për të përfituar.
Kontributi
Sipas ligjit, është përcaktuar që kontributi që paguhet për sigurimet shoqërore në fondet e sigurimeve për sëmundje, barrëlindje dhe pensione do të jetë si më poshtë: Për punëdhënësit, rreth 21.7 përqind e shumës bruto të listëpagesave, e ndarë kjo në 20 përqind sigurim shoqëror dhe 1.7 përqind sigurim shëndetësor. Ndërkohë që, për personat e punësuar 11.2 përqind e pagesës së tij totale, e ndarë kjo në 9.5 përqind sigurim shoqëror dhe 1.7 përqind sigurim shëndetësor. Në total, masa e kontributit gjithsej është 32.9 përqind, e ndarë kjo në 29.5 përqind sigurim shoqëror dhe 3.4 përqind që shkojnë për llogari të sigurimeve shëndetësore, për mbulimin e shërbimeve të marra nga pacientët. Sipas ekspertëve të pensioneve, niveli i pagave referuese përcaktohet me Vendimin të Këshillit të Ministrave nr. 285 të nxjerrë në 2007. Megjithatë, është vendosur se, sidoqoftë, paga maksimale mujore për efekt pagese të kontributeve nuk mund të jetë më e lartë se 65700 lekë. Sipas ligjit, derdhja e kontributeve bëhet nga punëdhënësi. Ndërsa masat janë të përcaktuara në vendimin e qeverisë nr. 557, datë 16.08.2006, ku masa e kontributit u ul 9 përqind.
31 Korrik 2008