E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet autori i vrasjes së dyfishtë, në kërkim prej 14 vjetësh



Tiranë - Ekstradohet nga Italia i dënuari për vrasjen e dy personave. Policia e Shtetit bëri të ditur për gazetën “Albania” se dje, rreth orës 18:45, nga Interpol Tirana është sjellë me pranga në duar, nga Milano drejt Shqipërisë, Françesk Lala, 47 vjeç, nga Durrësi. Lala ishte dënuar nga Gjykata e Faktit dhe e Apelit me 25 vjet burg, por Gjykata e Lartë e kishte ulur këtë masë dënimi në 15 vjet. Policia tha se ngjarja për të cilën është dënuar 47-vjeçari ka ndodhur më 7 maj të vitit 1993, në fshatin Jube të Rrethit Durrës. I dënuari Françesk Lala, së bashku me vëllain e tij Xhovalin Lala, kanë vrarë me armë zjarri në grindje e sipër Mikel Nokën dhe Xhovalin Llycin, banues në të njëjtin fshat. Gjykata e Durrësit, në datë 31 janar 1994, e ka deklaruar fajtor të pandehurin Françesk Lala për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje në bashkëpunim” dhe e ka dënuar atë me 25 vjet burg. Vendimi i Shkallës së Parë është ankimuar në Gjykatën e Apelit Durrës, e cila, me vendimin e vitit 1994 e ka lënë në fuqi atë. Kundër këtyre dy vendimeve është paraqitur rekurs në Gjykatën e Kasacionit nga i dënuari, duke kërkuar ndryshimin e tyre. Por dhe kjo gjykatë po në 1994-n ka vendosur lënien në fuqi të vendimit. Por ishte Gjykata e Lartë që ndryshoi cilësimin e veprës penale dhe uli masën e dënimit në 15 vjet burg.

Pranga shqiptarëve, akuzohen për vrasje dhe trafiqe të paligjshme

Një grup vrasësish shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë së Greqisë. Pavarësisht moshës së re, atyre u rëndojnë mbi supe mbi 10 vrasje dhe 13 tentativa për vrasje. Këto janë akuzat kryesore që rëndojnë mbi bandën, përveç akuzave për drogë, trafik armësh e femrash. Policia greke finalizoi arrestimin, pas rreth 6 muaj hetimesh, ndaj grupit kriminal. Policia e Athinës bëri të ditur dje nëpërmjet një komunikate për shtyp se ka kryer arrestimin e një grupi të rrezikshëm kriminelësh shqiptarë. Bëhet fjalë për një grup prej katër shqiptarësh që vepronin në Athinë dhe që akuzohen për 11 vrasje dhe 13 tentativa vrasjeje të bashkatdhetarëve të tyre në dy vitet e fundit. Siç thuhet nga burimet policore, keqbërësit shqiptarë ndiqeshin 6 muajt e fundit nga policia greke dhe më së fundi janë arrestuar. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë Dash Kasemi 31 vjeç, Kreshnik Kasemi 23 vjeç, Bledar Ahmetaj 26 vjeç dhe Roland Cara 26 vjeç. Lajmi është transmetuar nga të gjitha mediat greke si një arritje e rëndësishme e policisë greke. Ndërsa ka informacione që ka pasur bashkëpunim edhe me organet shqiptare në muajt e fundit për të dhënat e shtetasve të lartpërmendur. Vrasjet që dyshohet se janë kryer nga ky grup vrasësish janë të përqendruara kryesisht në personat që veprojnë për kontrollin e zonave ku veprojnë grupet keqbërëse në kryeqytetin grek. Përveç vrasjeve dhe plagosjeve, të katër shtetasit shqiptarë gjithashtu akuzohen për trafik armësh, droge dhe trafik femrash.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›