E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Drejtësisë urdhëron inspektim në Gjykatën e Lezhës



Prej gjashtë ditësh, një grup të dënuarish në Institucionin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale, Shën-Koll, Lezhë, kanë refuzuar marrjen e ushqimit. Shkak për këtë janë bërë disa kërkesa dhe pretendime të tyre në lidhje me gjykimet e kryera nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë për çështje me objekt lirimin para kohe me kusht në bazë të Nenit 64 të Kodit Penal dhe kërkesat për ulje dënimi në bazë të Nenit 63 të Ligjit Nr.8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim “.
Ministri i Drejtësisë, pasi u njoh me peticionin e të dënuarve, dërguar për dijeni edhe kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, ka autorizuar përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë për të marrë një takim me ta. Në deklarimet e tyre, të dënuarit pretendojnë se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë është selektive dhe ndjek dy standarde në shqyrtimin e kërkesave duke lënë vend për dyshime në drejtim të përfundimit të çështjes. Ata pretendojnë se urdhrat e ekzekutimit të vendimeve penale me burgim dërgohen me shumë vonesë nga ana e prokurorëve. Si rrjedhojë, ata vuajnë padrejtësisht një pjesë më të madhe të dënimit në regjimin e paraburgimit. Të dënuarit nuk kanë paraqitur asnjë pretendim për sjelljen apo veprimet e stafit drejtues të Institucioni apo trupës policore që shërben në këtë institucion. Ministri i Drejtësisë, duke vlerësuar me objektivitet gjendjen në këtë institucion, ka urdhëruar inspektimin e të gjitha çështjeve me objektet e mësipërme pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, duke kërkuar evidentimin në mënyrë objektive të zbatimit të dispozitave ligjore nga ana e gjyqtarëve të kësaj gjykate për shqyrtimin e kërkesave të të dënuarve.
Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të marrë të gjitha masat për sigurimin e zbatimit të kërkesave të Ligjit Nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim“ i ndryshuar, shtimin e lejeve shpërblyese si dhe kryerjen e aktiviteteve më të shumta sportive. Konkluzionet e inspektimit do të bëhen të ditura menjëherë pas përfundimit.
L. Rryçi

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›