“Arrest me burg” për policin që keqtrajtoi 18-vjeçarin
SARANDË - Gjykata e Shkallës së Parë e Sarandës vendosi dje masën “arrest me burg” për agjentin e seksionit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Komisariatin e Sarandës, Ardit Hasanbega, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike mbi 18-vjeçarin Aristidh Gllucaj, i ndaluar gjatë tentativës për të kaluar ilegalisht kufirin me Greqinë. Vendimi për masën e sigurisë ndaj Hasanbegës u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Helidon Papazisi, pasi shqyrtoi për mëse dy orë dosjen penale. Pas vendimit të gjykatës, agjenti i policisë u shoqërua për në dhomat e paraburgimit të Burgut të Bënçës, rreth 5 kilometra larg qytetit të Tepelenës. Një javë më parë, Gllucaj dhe i riu Oltion Varfi, të dy nga rrethi i Vlorës, po tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, por u ndaluan afër pikës kufitare të Qafë Botës.
15 Nentor 2008