E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja, hetim gjyqtarëve që liruan tre mjekët

Inspektorët kanë nisur shqyrtimin e dosjeve nëse ka pasur favorizime. Akuzat që rëndonin mbi tre të arrestuarit dhe reagimi i Prokurorisë për lirimin

Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të marrë në shqyrtim dosjet gjyqësore ndaj gjyqtarëve që liruan tre mjekët nga paraburgimi, ndërkohë që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për korrupsion.
Lajmi u pohua nga burime zyrtare pranë KLD-së, të cilat sqaruan se Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të verifikojë vendimmarrjen e gjykatave për hetimin e mjekëve nën masën e "arrestit në shtëpi", përkundër kërkesës së organit të akuzës për izolimin e tyre në paraburgim. Të njëjtat burime shpjeguan se dosjet do të verifikohen nëse gjyqtarët kanë dhënë masën e duhur për këta mjekë apo kanë favorizuar ndonjërin prej tyre.
Dosjet
Bëhet fjalë për çështjet penale të hapura nga organi i Prokurorisë në ngarkim të mjekëve Kastriot Dautaj, Ardian Nelaj dhe Agim Karaj, të cilët janë arrestuar pak kohë më parë nga forcat e policisë së Tiranës si të dyshuar për mitmarrje kundrejt operacioneve mjekësore që realizonin. Mjekët u liruan më pas nga mjediset e paraburgimit për t'u hetuar nën masën e sigurisë së "arrestit në shtëpi". Kastriot Dautaj, mjek urolog në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, u arrestua në kushtet e flagrancës, pas gjashtë muaj përgjimesh. Atij iu hodhën prangat në repartin e URL-së sapo doli nga operacioni. Në xhep atij iu gjetën 50 mijë lekë, për të cilat mjeku akuzohet se i kishte marrë nga familjarët e një pacienteje pas operimit. “Kastriot Dautaj, 66 vjeç, që mbante gradën shkencore të Profesorit, njëkohësisht edhe pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, është arrestuar”, - thuhej në deklaratën për shtyp të Policisë së Shtetit.
Agim Karaj
Prokuroria e Rrethit Tiranë do të apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për lirimin nga paraburgimi të mjekut kirurg pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Agim Karaj, i arrestuar para disa ditësh si i dyshuar për korrupsion. Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj mjekut Karaj kundrejt kërkesës së Prokurorisë për izolim në paraburgim të tij deri në përfundim të hetimit. Kirurgu Agim Karaj u arrestua disa ditë më parë nga forcat e policisë së Tiranës pas urdhërarrestit të lëshuar nga Prokuroria e rrethit, e cila e akuzon për marrje ryshfeti nga pacientë të ndryshëm kundrejt operacioneve që realizonte në spitalin “Nënë Tereza”.
Ardian Nelaj
Në kuadër të operacionit policor “Standardi i garantuar”, operacion i cili u finalizua nga Seksioni kundër Korrupsionit në Sektorin kundër Krimit Financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, u vendos në pranga Ardian Nelaj. Sipas Prokurorisë, Ardian Nelaj, me profesion mjek kirurg, me detyrën shef i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, dyshohet se përfitonte para, që ua kërkonte pacientëve të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale në sallën e Urgjencës së Spitalit Nr. 2 Tiranë.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›