E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet bashkëpunëtori i Gaxhait

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Krahu i djathtë i Gaxhait, Sokol Sinomati, është sjellë dje në pranga nga Italia. I akuzuar për krijim bandash të armatosura e një sërë veprash të tjera penale i njohur me nofkën “Buzëderri”, Sinomati ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej rreth pesë vitesh. Ndërkohë, ndaj tij dhe bandës së Gaxhait është drejt përfundimit procesi gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim përjetë për Sokol Sinomatin. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se është ekstraduar një prej të shumëkërkuarve nga drejtësia shqiptare. I shumëkërkuari është sjellë pasditen e djeshme në Rinas nga oficerë të Interpolit.
Ekstradimi
Një prej anëtarëve të Bandës së Gaxhait, është arrestuar dhe dje u ekstradua në kryeqytetin shqiptar nëpërmjet Rinasit. Sokol Sinomati, i njohur me nofkën “Buzëderri”, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Krijimit të bandës së armatosur”, “Kryerjes së krimeve nga bandat e armatosura”, është arrestuar për arsye ekstradimi, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
Sokol Sinomati, akuzohet për pjesëmarrje në bandë kriminale ku janë kryer vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari.
Po ashtu, Sinomati, bashkë me Gaxhain dhe tre të pandehur të tjerë, përballen në gjykatë me akuzat e tjera të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj, vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj si dhe armëmbajtjes pa leje.
Pak ditë më parë në gjykatë, Sinomatit dhe katër të tjerëve të bandës, iu dha nga pretenca, burgim i përjetshëm, kërkesë që pasi u dorëzua nga Prokuroria, pritet të shqyrtohet dhe të dilet me një vendim në seancën e ardhshme gjyqësore.
Pretenca
Në konkluzionet e nxjerra, prokurori ka cilësuar fajtorë të pesë të pandehurit dhe ka kërkuar dënimin e tyre me burgim të përjetshëm për konsumimin e disa veprave penale. Prokurori ka kërkuar dënimin e Gazmir Brakajt (Gaxhai), me burgim përjetë si dhe të Armando Sulejmanit (Çipuri), Sokol Sinomatit (Buzëderri), Edmond Leskajt,(Mond Fshatari), Gazmend Nebiut, të katër anëtarë të bandës së Gaxhait. Të pesë të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasit Bashkim Dule, “Krijimit të bandës së armatosur”, “Kryerjes së krimeve nga bandat e armatosura”, siç janë vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj, vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj, si dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Dënimet e mëparshme
Sokol Sinomati është dënuar më parë nga drejtësia shqiptare me 25 vjet burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Gazmir Brakaj, është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me burgim të përjetshëm për një tjetër vepër penale të kryer në këtë qytet. Edhe të pandehurit Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani janë dënuar për veprën penale të vrasjes së shtetasit Elton Tato dhe vrasjes së mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Robert Boraku, ngjarje e ndodhur në datën 26.02.2002, dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë përkatësisht me 25 vjet burgim Sokol Sinomati dhe 20 vjet burgim Armando Sulejmani. Gjithashtu, i pandehuri Armando Sulejmani ka rezultuar të ketë qenë i dënuar edhe dy herë të tjera për vepra të ndryshme penale”.

Sokol Sinomati (Buzëderri),
AKUZUAR, për kryerjen e veprave penale të “Krijimit të bandës së armatosur”, “Kryerjes së krimeve nga bandat e armatosura”, siç janë vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë, Viron Rrapaj, vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj si dhe armëmbajtjes pa leje, parashikuar nga nenet 333, 334, 78, 78, 78, 78 ,78,79/c, 139 e 278/2 i K. Penal.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›