E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisariati i Ersekës, të shoqëruarit mbahen jashtë afateve

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Inspektimi

Të arrestuarit nga efektivët e komisariatit të Ersekës duhet të rrinë të shoqëruar më shumë se ç duhet. Ata mbahen të izoluar pa të drejtë si dhe u privohet e drejta për të kontaktuar me një avokat mbrojtës apo me familjarët e tyre. Pak ditë më parë, Avokati i popullit ka ushtruar një inspektim në këtë komisariat dhe ka vërejtur një sërë problemesh duke filluar që nga mënyra e shoqërimit e deri tek kohëzgjatja e mbajtjes së izoluar.
Në momentin që është kryer inspektimi nuk kishte shtetas të shoqëruar, por nga biseda me drejtuesit e këtij komisariati kjo masë shoqërohej gjithmonë me një sërë shqetësimesh nga ana e drejtuesve të policisë, pasi ata nuk dispononin efektiv lidhur me këtë shërbim. Sipas rezultateve të inspektimit librat e shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve në polici u konstatua se plotësoheshin me përgjegjësi, duke pasqyruar shkakun ligjor, por nuk kishin rubrikë për njoftim të familjarëve dhe avokatit mbrojtës.
Konstatimet
Dhoma të sigurisë në këtë komisariat policie nuk kishte, pasi nuk ishte parashikuar në organikë efektiv për sigurinë e tyre, ndaj personat e ndaluar apo arrestuar dërgoheshin menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë. Nga këqyrja e praktikave të personave të ndaluar apo arrestuar, u vërejt se të arrestuarve dhe të ndaluarve, në procesverbalet e arrestimit dhe të ndalimit u ishte shënuar ora e përpilimit të këtyre dokumenteve dhe jo ora faktike si çasti, kur atyre u është privuar liria në fakt.
Duke i trajtuar në këtë mënyrë, atyre nuk u ishte llogaritur në kohën e paraburgimit dhe më pas edhe atë të vuajtjes së dënimit koha, gjatë së cilës bëhej verifikimi apo veprime te tjera procedurale, kohë e cila mund të shkonte deri në 10 orë. Ndërsa në bazë të nenit 258 të K.Pr.Penale, nga çasti (ora) e arrestimit ose ndalimit fillon afati i 48-të orëve, brenda të cilit prokurori kërkon vlerësimin e masës së sigurimit në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. Sipas rekomandimit të bërë nga Avokati i Popullit, është shprehur se konstatimet e nënvizuara përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese e ligjore të shtetasve.
Rekomandimet
Pas inspektimit, Avokati i Popullit i është drejtuar me një rekomandim ministrit Bujar Nishani, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençit, si dhe drejtorit të Drejtorisë së Policisë Korçë, Ermir Vata, për marrjen e masave të menjëhershme për rregullimin e ambienteve dhe zbatimin e dispozitave ligjore. Dobjani ka kërkuar që të merren masa urgjente për rikonstruksionin e ambienteve të dhomave të shoqërimit, në Komisariatin e Policisë Ersekë dhe të bëhen shtesa në organikën e këtij komisariati me qëllim përmbushjen efektive të shoqërimit të shtetasve. Të kërkohet nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilët bëjnë arrestime dhe ndalime, që të respektohen me korrektesë dispozitat ligjore të K.Pr.Penale lidhur me shënimin në proçesverbal të çastit (orës së saktë) të arrestimit apo ndalimit të shtetasve dhe të mos trajtohen ata fillimisht si të shoqëruar. Të merren masa, që në librat e shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve të hapen rubrika për njoftimin e familjarëve dhe avokatit mbrojtës. Ky nuk është rasti i parë që janë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut nga Policia e Shtetit për sa u përket shoqërimeve dhe mbajtjes pa të drejtë në izolim.

Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›