E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori i korruptuar, pyeten dëshmitarët

Autori i Lajmit: red.
Ka përfunduar pyetja e dëshmitarëve për çështjen e prokurorit të korruptuar. Gjykata e Tiranës i ka kërkuar prokurorit të çështjes që të japë konkluzionet përfundimtare për ish-prokurorin Musa Mulkurti, i cili u filmua duke kërkuar nga familjari i një të pandehuri para për të ulur vitet e burgimit. Ish-prokurori i Kavajës është duke u gjykuar nën akuzën për "Korrupsion pasiv të gjyqtarëve dhe të prokurorëve". Pak kohë më parë ai është filmuar nga një televizion duke i kërkuar një familjari një shumë prej 2500 euro në këmbim të uljes së dënimit. Dje është zhvilluar edhe seanca e fundit për pyetjen e dëshmitarëve. Gjyqtari i ka kërkuar prokurorit që të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe të lexojë kërkesën për dënimin e prokurorit të korruptuar. Tashmë në seancën e radhës pritet që të dëgjohet edhe pretenca për dënimin e Mulkurtit. Musa Mulkurti ra pre e një kamere të fshehtë ku pa e ditur se e gjithë biseda mes tyre regjistrohej, prokurori pranon se do të kërkojë shtatë vjet e pak muaj burg për të birin e plakut që po i dorëzonte paratë. Megjithatë, ai thekson disa herë gjatë bisedës se vendimin përfundimtar do ta jepte gjykata. Gjithashtu, ai i kujton disa herë qytetarit se djali i tij, i cili ishte ulur në bankën e të akuzuarve akuzohet për katër vepra penale dhe dënimi që parashikon ligji në këto raste është shumë i madh, rreth 15 vjet burg.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›