E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet drejt Hagës gjenerali famëkeq, Ratko Mlladic

BEOGRAD- Ekstradohet drejt Hagës ish gjenerali i luftës Ratko Mlladic, i cili pritet të gjykohet atje për krime lufte e genocid në Bosnje. Lajmi konfirmohet nga vetë ministrja e Drejtësisë Snezana Malovic, e cila në një konferencë për media ka deklaruar se ka firmosur autorizimin për ekstradimin e tij drejt Hagës.

“Ratko Mlladic nuk është më në Serbi, është nisur me një avion drejt Hagës”, u shpreh ministrja Malovic.

“Serbia sot me këtë ekstradim ka përmbushur detyrimin e saj ndërkombëtar dhe moral”, shtoi ministrja e Drejtësisë.

Ratko Mlladic u arrestua në Serbi në 26 maj të këtij viti, dhe fshihej nën një emër të rremë Milorad Komadic. U desh një test ADN-je për të vërtetuar se në të vërtetë ai ishte gjenerali famëkeq.

Ish gjerenali serb i Bosnjes është një prej dy njerërve më të kërkuar nga Gjykata e Hagës, për krime lufte në ish Jugosllavi dhe genocid gjatë luftës në Bosnje 1992- 1995. Arrestimi i tij së bashku më Goran Haxhic është kushti kryesor nëse Serbia kërkon të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

69-vjecari Mlladic akuzohet për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftërave ballkanike në vitet ‘90, përfshirë rrethimin 43-ditësh të Sarajevës, gjatë të cilit u vranë 12 mijë njerëz, “pastrimin etnik” në Bosnjë dhe orkestrimin e masakrës së afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë, pas rënies së Srebrenicës, në korrik të vitit 1995.

Ratko Mlladic dhe Radovan Karaxhic, i cili aktualisht gjendet në burgun e Tribunalit të Hagës, akuzohen se kanë qenë në krye të zinxhirit komandues, që qëllim kryesor kishte pastrimin etnik të Bosnjës nga joserbët, nëpërmjet torturës, keqtrajtimit, transferimit të popullatës dhe vrasjeve masive, që në atë kohë kishin arritur shkallën e gjenocidit. Mediat deklarojnë se ata mund t’i nënshtrohen një procesi të përbashkët gjyqësor.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›