Mungon prokurori, shtyhet “14 shtatori”
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje të shtynte seancën gjyqësore në ngarkim të të akuzuarve në njërin nga proceset “14 shtatori”. Shkak për shtyrjen e seancës ishte mosparaqitja e përfaqësuesit të akuzës në këtë çështje, ku është rikthyer marrja nën përgjegjësi penale të zëvendësministrit të Kulturës Ekrem Spahia, pasi më parë mbrohej nga imuniteti i deputetit. Dosja në të cilën ndodhet në listën e të pandehurve, Spahia, i cili mban edhe postin e kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, është nja nga tre dosjet për ngjarjen e “14 shtatorit” 1998, kur turma e armatosur që përcillte në varreza trupin e pajetë të deputetit të vrarë Azem Hajdari, sulmoi institucionet qendrore të shtetit. Pas hetimeve mbi këtë çështje, u vendos që dosja të ndahej në tre pjesë, njëra prej të cilëve u përkiste të akuzuarve ish-badigardë; e dyta qytetarëve të armatosur; ndërsa e treta ish-gazetarëve, ku bën pjesë edhe Spahia. f.m