Ekstradohet nga Anglia, dërgohet në qeli trafikanti
26/12/2004 TIRANË – Baftjar Gjana prej vitesh punonte dhe jetonte në Angli. Është ekstraduar me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pak ditë më parë. Ndërkohë që gjykata për të kishte dhënë para gjashtë muajsh masën e arrestit me burg pa afat në mungesë. Të premten në mesditë, i pandehuri u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të dhënë shpjegime. Në pyetje për akuzën e trafikimit dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion, i pandehuri u mor nga kryetari i gjykatës, Sandër Simoni. Nuk e ka pranuar akuzën, edhe pse para autoriteteve angleze e ka denoncuar me emër vajza e trafikuar. Emri i vajzës nuk bëhet i ditur nga gjykata. Ndërkohë mësohet se djali, që tashmë është vënë në pranga me akuzën e rëndë, ka mohuar gjithçka. Nga ana e organit të akuzës bëhet e ditur se i pandehuri për gati tre vjet e ka shfrytëzuar vajzën në semaforët e Anglisë. Të gjitha të ardhurat që vajza mblidhte nga klientët e saj shkonin në xhepat e të pandehurit. Vajza është riatdhesuar disa muaj më parë. Menjëherë pasi ka zbritur nga avoni, vajza është drejtuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Ka dhënë emrin e djalit që e shfrytëzonte dhe i merrte paratë prej disa vitesh. Policia, informacionin ia dërgon prokurorisë, që nis hetimet në mungesë. Në këtë periudhë merret nga gjykata vendimi me burg pa afat në mungesë. Ndërkohë që, Interpoli i vendit tonë, në bashkëpunim me Interpolin e Mbretërisë Angleze, bënë të mundur arrestimin dhe ekstradimin e të pandehurit.