E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbetet në burg pa afat pengmarrësi i Pluton Dikos

26/12/2004  TIRANË – Arbër Duda arrestohet në mesin e muajit nëntor. Akuza ishte tepër e rëndë. Në bashkëpunim me dy persona të tjerë ai mori peng shtetasin Pluton Diko. Në këmbim të lirisë i kërkuan 30 mijë euro. Por në datën 1 dhjetor, në duart e policisë vetëdorëzohet shtetasi Ardian Alvora. Ky mori përsipër gjithë ngjarjen. Alvora tha se ishte protagonisti i pengmarrjes dhe se këtë gjë e kishte organizuar për t'iu kthyer borxhi i marrë gati dy vjet më parë. Pas seancës për sigurimin e provës që u zhvillua në 14 dhjetor, i pandehuri Arbër Duda, bëri kërkesë për revokimin e masës së sigurimit. Kërkesa u mor në shqyrtim dje nga gjyqtari i Krimeve të Rënda, Ardit Mustafa. Megjithëse kërkesa ishte e shkurtër dhe pretendimet e të pandehurit ishin të shumta, gjykata nuk arriti ta lerë të lirë të pandehurin Arbër Duda. Ajo vendosi të mos e ndryshojë masën e sigurimit, edhe pse të gjithë ngjarjen e mori përsipër Ardian Alvora, gjykata e konsideroi të pandehurin Arbër Duda, bashkëpunëtor në pengmarrje. Bashkë me të pandehurit e lartpërmendur është akuzuar për pengmarrjen e Pluton Dikos edhe shtetasi Petrit Hoxha. Ardian Alvora tha para gjykatës se, Pluton Dikon e rrëmbyen vetëm sa për t'i marrë paratë dhe se nuk kishin asnjë qëllim tjetër. Ai u shpreh para gjykatës se nuk e ka keqtrajtuar, madje, e kanë mbajtur të fshehur dhe nën presion vetëm një ditë. Ata e kanë liruar shtetasin me pasaportë kanadeze të jepte shumën prej 30 mijë eurosh që, sipas Alvorës, ia kishte borxh. Por nga ana e tij, Pluton Diko është shprehur se nuk i ka patur borxh asnjë njeriu dhe se e gjithë kjo është bërë për të marrë paratë që ai kishte grumbulluar gjatë viteve në emigrim. Tashmë është deklaruar se rrëmbyesi i shtetasit shqiptaro–kanadez, Pluton Diko, është Ardian Alvora, ndërsa dy të pandehurit e tjerë e kanë ndihmuar atë në kryerjen e veprimeve. Të pandehurit kanë përfituar edhe lehtësira nga i dëmtuari. Pluton Diko është shprehur se rrëmbyesit nuk e kanë keqtrajtuar, por e kanë mbajtur nën kujdestari deri në momentin e dorëzimit të parave. Megjithatë asnjë nga të pandehurit e akuzuar për rrëmbim personi dhe gjobëvënie, nuk e ka pranuar akuzën. Ata janë shprehur se, Diko ishte duke gënjyer gjykatën, me qëllim që të mos shlyente borxhin prej 30 mijë eurosh. Përfaqësuesi i akuzës e konsideroi këtë një gjobëvënie të pastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›