E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvritet ditën e Krishtlindjeve

26/12/2004  TIRANE – Një 39–vjeçar ka zgjedhur natën e lindjes së Krishtit për t'i dhënë fund halleve të tij. Sokol Leka është hedhur nga kati i tretë i banesës së tij dy netë më parë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 24 dhjetorit në zonën e Vorës, pak kilometra larg kryeqytetit. Sokol Leka, sipas burimeve policore, vuante nga depresioni. Brenda tre muajsh, viktima e vetëvrasjes më të fundit të ndodhur në kryeqytet, është bërë dy herë pjesë e kronikave të zeza. Në shtator ai u cilësua si shkaktar i aksidentit të lehtë të bërë në zonën e Vorës, ku mbetën të plagosur aktori Timo Flloko dhe bashkëshortja e tij, regjisorja Vera Grabocka.

Ngjarja

Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, vdekja e Sokol Lekës ka qenë një akt i pastër vetëvrasjeje. Asnjë dyshim nuk kanë patur blutë e kryeqytetit për ngjarjen e rëndë më të fundit, që është regjistruar në dosjet e tyre. Çdo gjë duket se është plotësisht e "kopsitur" dhe me deklarimet e familjarëve të 39-vjeçarit Leka. Po sipas të njëjtave burime, mbrëmjen e së premtes, Sokol Leka, nën gjendje depresive ka dalë në ballkonin e shtëpisë, në katin e tretë të një pallati në Vorë dhe është vetëhedhur. Të aksidentuarit i është ofruar menjëherë ndihmë nga familjarët dhe fqinjët e tij, por çdo ndërhyrje për të shpëtuar jetën e tij ka qenë e kotë.

Aksidenti me çiftin artist

Ka qenë fundi i shtatorit të këtij viti, kur Sokol Leka, nën avujt e alkoolit është bërë shkak për një aksident, ku mbetën të përfshira tri makina dhe ku u aksidentuan lehtë tre persona. Dy nga të aksidentuarit që shpëtuan për mrekulli ka qenë dhe çifti i bashkëshortëve, Timo Flloko dhe Vera Grabocka. Teksa po udhëtonin në aksin rrugor Tiranë–Durrës, çifti i njohur i artistëve ka pësuar aksident. Automjeti që drejtohej nga aktori i mirënjohur, Timo Flloko, si dhe një makinë tjetër e një personi nga Durrësi, rreth orës 15.00 të 25 shtatorit, janë përplasur me makinën e drejtuar nga Sokol Leka, në fillim të autostradës, në afërsi të Vorës. Regjisorja e njohur 50-vjeçare, Ervin Shehi, 25 vjeç; Filip Palushi, 85 vjeç; kanë qenë viktimat e përplasjes së tri makinave në afërsi të Vorës. Policia identifikoi dhe ndaloi si autor të aksidentit Sokol Lekën, i cili, pasi kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli, është futur kundravjatje në rrugë, duke sjellë edhe përplasjen e mjeteve. Të tre personat e plagosur janë shoqëruar menjëherë në spital, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë.

15 nëntor 2003

Vret veten Zenel Llapushi, arsyet e vetëvrasjes ishin shkruar në një letër, ku kërkonte kthimin e shtëpive të humbura në fajde.

24 mars 2004

Olta Xhepexhiu, 16 vjeçe, nxënëse e vitit të tretë në gjimnaz, vret veten me fostoksinë, pasi u grind me prindërit.

8 maj 2004

Tomorr Laze, 41 vjeç, është gjetur i varur në banjon e shtëpisë, sipas të afërmve ai ishte vetëvarur për 4 mijë lekë.

22 qershor 2004

Marsela Kella vetëhelmohet me ilaç rrobash, për shkak të depresionit. 23-vjeçarja ishte shtatzënë.

22 korrik 2004

Roland Cami, efektiv i policisë, vret veten pasi kishte vrarë ish-vjehrrin, ish-bashkëshorten dhe plagosur vjehrrën e tij.

4 shtator 2004

Vetëvaret pedagogia e Universitetit të Kamzës. Vojsava Cfarku, i dha fund jetës e dëshpëruar për humbjen e dy prindërve.

23 shtator 2004

Vetëvaret në shtëpinë e tij inspektori i Antitrafikut dhe ish- drejtor i Policisë së Durrësit, Edmond Makashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›