E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kondovë, "Tigrat" vrasin një shqiptar

26/12/2004  Liridon Dermaku nga Dardania e Kosovës ka mbetur i vrarë dje në përpjekjen e specialëve të njësisë "Tigrat", për të arrestuar të shumëkërkuarin Lirim Jakupi. Në aksionin e kapjes së bandës së Jakupit, të ashtuquajturit "Nacisti", u vra i riu nga Shipashnica e Dardanisë së Kosovës, u plagos një pjesëtar i policisë së Maqedonisë. Gjithashtu operacioni mundësoi kapjen e dy personave të tjerë nga grupi i Jakupit. Ky grup, sipas policisë maqedonase, kundërshtoi marrëveshjen e arritur për tërheqje nga Kondova drejt Kosovës. Ata kishin qëndruar për një kohë në Tetovë. Ka reaguar për këtë ngjarje dhe Buçkovski, i cili ka pohuar se nuk ishte incident, por ishte një punë e policisë, të cilën ajo e bëri ashtu si duhej.

I kërkuari

Pas një aksioni të së dielës mbrëma të Policisë së Maqedonisë, përkatësisht të njësive speciale policore të këtij vendi, në koordinim me Drejtoratin e Policisë së Tetovës, por edhe me një koordinim të policive të Maqedonisë dhe të Kosovës, duket se është përmbyllur edhe episodi i quajtur Lirim Jakupi, ndryshe i thirrur "Nacisti" dhe i bandës së tij. Grupi veproi në Kondovë e rrethinat bashkë me grupin vendas të Agim Karsniqit nga Kondova, të cilët parimisht u pajtuan se do të çarmatosen dhe do të tërhiqen pas takimeve disaditëshe që patën me kreun e PDSH-së, Arbën Xhaferin e Menduh Thaçin, në të cilin mori pjesë edhe Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Aksioni

Fjala e dhënë në besë, pas një marrëveshjeje politike për tërheqje nga Kondovë, duket qartë se nuk ishte mbajtur. Aksioni i policisë, pas informacioneve që i kanë patur për lëvizjen e grupit të Lirim Jakupit nëpër Tetovë, ka pasuar këtë ditë pas mesnatës në një pallat në Tetovë. Policia e Maqedonisë me njësitë e veta speciale dhe pjesëtarë të policisë nga Tetova, kishin rrethuar një bllok banesash, siç thuhet këtu, kryesisht të banuar me studentë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin kosovarë. Në njërën nga ato banesa ishte vendosur edhe grupi i Lirim Jakupit – "Nacistit", i cili nuk e kishte mbajtur fjalën për tërheqje nga Maqedonia në Kosovë apo diku tjetër. Dëshmitarët thonë se ka patur më shumë të shtëna, bile edhe me minahedhës dore e me pushkë automatike dhe revole gjysmautomatike.

Vrasja

Në këto të shtëna mes policisë dhe bandës së Lirim Jakupit, që kanë gjuajtur të parët, është vrarë në vend një i ri nga Shipashnica e Dardanës së Kosovës, Liridon Dermishi. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha për gazetën "METROPOL" se "krejt ngjarja ende është duke u përpunuar dhe nuk kanë të dhëna të konfirmuara për identitetin, pasi fjala është për shtetas të huaj".

Dje një polic i plagosur në betejë

Në këtë aksion të policisë është plagosur rëndë edhe një pjesëtar i policisë, identiteti i të cilit gjithashtu nuk jepet, ndërsa janë arrestuar edhe dy shtatas të huaj, për të cilët besohet se janë kosovarë apo dhe shqiptarë nga rajoni i Luginës së Preshevës, ndërsa udhëheqësi i kësaj bande të armatosur, që veproi për disa kohë edhe në Kondovë, Lirim Jakupi i quajturi "Nacisti", ka arritur që i plagosuri të arratiset jo vetëm nga vendi i ngjarjes, por edhe nga rajoni i Tetovës në Kosovë!

Arrestimi i të kërkuarit Nacisti

Megjithatë, Jakupi nuk ka mundur të shkojë shumë larg dhe, sipas fjalëve të Goran Pavllovsit, pas bashkëpunimit të koordinuar mes policive të Maqedonisë dhe të policisë së UNMIK-ut e besohet edhe SHPK-së, është arrestuar në afërsi të Prishtinës. Arrestimin e Lirim Jakupit, ka thënë për mediat e Shkupit, Pavllovski, policisë së Maqedonisë ia ka konfirmuar policia e UNMIK-ut dhe Pavllovski tha se ai kishte qenë i plagosur në aksionin e policisë së Maqedonisë në Tetovë. Në vendin e ngjarjes në Tetovë kishin dalë menjëherë organet hetuese të Tetovës, të cilat, sipas kumtesës së policisë së Maqedonisë, në banesën ku ishte zhvilluar ngjarja kishin gjetur një minahedhës, 12 granata, ndër to edhe 6 të shkrepura, një pushkë automatike, një revole gjysëmautomatike të tipit TT dhe dy jelekë antiplumb me rrethatore me fishekë e pajisje të tjera ushtarake. Goran Pavllovski, tha për "METROPOL" se, "për shkak se bëhet fjalë për një grup shtetasisht të huaj, ende i kemi në përpunim e sipër të dhënat, por të dielen", tha ai, gjithçka do të jetë e gatshme dhe gjithë të dhënat do të kumtohen në një konferencë shtypi, që do të mbahet në Ministrinë e Brendshme në Shkup, kur do të shpallen edhe aktpaditë e ngritura nga ana e MPB-së.

Jakupi kërkohej pasi nuk ishte tërhequr nga Kondova

Lirim Jakupi- "Nacisti", i përfolur shumë kohëve të fundit dhe ndoshta dhe i keqpërdorur nga dikush a shumëkush, pasi nuk e mbajti fjalën për tërheqje jo vetëm nga Kondova, por edhe nga territori i Maqedonisë, bashkë me shokët e tij bashkëmendimtar e pësoi në Tetovë, për t’u arrestuar në afërsi të Prishtinës, ku ishte shumë i kërkuar nga policia e UNMIKU-t dhe nga SHPK-ja për veprat që i kishte bërë më parë, pasi ishte shpërbërë UÇPMB-ja, pjesëtar i së cilës kishte qenë dhe ai. Për ngjarjen e ndodhur në Tetovë, ku grupi i Jakupit se kishte mbajtur fjalën e dhënë në Kondovë, Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, ka dhënë një deklaratë gjatë qëndrimit të tij në Ohër dhe ka thënë se, "ky nuk ishte incident, por ishte punë e policisë, të cilën ajo dhe e ka bërë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›