E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rajkard: Reali do të ndryshoj

26/12/2004  

Frenk Rajkard, është trajneri më i lumtur i kampionatit spanjoll. Holandezi e ka mbyllur këtë fazë të Premiera Divizion, në vendin e parë dhe mbi të gjitha, me një diferencë të konsiderueshme me vendin e dytë: 10 pikë. Rajkard ndodhet në Holandë, ku do të festojë edhe festën e Vitit të Ri, por edhe aty nuk mungojnë deklaratat për skuadrën e tij: "I uroj të gjithë futbollistëve dhe stafit drejtues, gëzuar Vitin e Ri. Tashmë, duhet të pushojmë për të fituar energjitë e harxhuara dhe më pas do të rikthehemi me forcat e duhura, për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit". Një fundvit special për ish-futbollistin e nacionales holandeze: "Po është e vërtetë. Do të festoj me familjen. Gjatë vitit jam i impenjuar me Barcelonën dhe nuk kam mundësi të qëndroj pranë familjes. Duhet t`i shfrytëzoj në maksimum këtu momente të bukura".

Trajneri ka folur edhe për objektivat e vitit 2005: "Do të jetë shumë e rëndësishme të marrim maksimumin e pikëve në janar dhe shkurt. Mendoj se, këto dy muaj do të jenë deçizivë për të konfirmuar Barcelonën si skuadrën kampione, ose ndonjë reduktim të mundshëm të distancës me rivalët. Shpresoj që vitit 2005 të jetë i mbarë për ne, si në Spanjë ashtu edhe në Europë. Një nga objektivat më të rëndësishme të këtij sezoni, është Liga e Kampioneve, kompeticion që për në këtë sezon do të thotë shumë". Në fund, tekniku holandez ka folur edhe për krizën në shtëpinë e Real Madrid: "Jam i bindur se është vetëm momentale. Reali i sezonit të ardhshëm do të jetë një skuadër tjetër, prandaj ne duhet të luajmë gjithmonë me një nivel, nëse duam të fitojmë kampionatin". Rajkard flet edhe për përdorimin e moviolës në fushë: "Nuk jam dakord për përdorimin e moviolës në fushë. Mund të jetë e nevojshme vetëm për gola fantazëm, por jo për të gjithë ndeshjen, sepse kështu arbitrat do të dilnin jashtë loje"- ka përfunduar trajneri i Barcelonës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›