E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raketat, malazezwt siguruan eprorwt, pwr mallin

26/12/2004  TIRANË -Verifikimet operative zbulojnë paradoksin e dosjes “Raketat STRELA 2M”. Tri raketa të prishura, nuk mund të bliheshin nga askush. E megjithatë ato u gjetën dhe u sekuestruan në makinën tip “Benz”, që u kap në Fushë-Prezë, 15 kilometër larg Tiranës, në datën 13 dhjetor të këtij viti. Grupi i trafikut në Mal të Zi ka kërkuar garanci për pagesën, duke nisur drejt Shqipërisë fillimisht gjysmën e mallit (tri raketat me defekt). Gjysma tjetër (tri raketat efektive) e kanë kaluar kufirin në një zonë liqenore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, vetëm pasi malazezët e kishin të garantuar pagesën. Malli vinte nga Bosnja. Në makinë u gjetën tri raketa të prishura dhe tri të tjera efektive. Prania e tri raketave të prishura, e ka bërë të nevojshme pjesëmarrjen e strukturave speciale në zbardhjen e çështjes. Pas këtyre verifikimeve, organet speciale të rendit kanë informacione se gjashtë raketat që u kapën në datën 13 dhjetor të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri të ndara. Sipas hetimeve operative, trafikantët e Malit të Zi, janë treguar të kujdesshëm ndaj kërkesës shqiptare që u ishte bërë për të shitur gjashtë raketa tokë-ajër, me një çmim të kushtueshëm.

Hetimi

Informacionet operative të hetimeve flasin për një grup efektiv që vepron në Mal të Zi dhe bashkëpunon në trafikun e armëve të disa llojeve. Ky grup kujdeset për furnizimin me armë nga Bosnja, për kalimin e tyre në rrugë ilegale nëpërmjet Malit të Zi dhe më pas tregtimin e tyre në vendin tonë, apo në vende të tjera, nëpërmjet bashkëpunëtorëve. Sipas verifikimeve ndërkombëtare, trafikantët malazezë nuk kanë bashkëpunim vetëm me shqiptarët, por edhe me disa grupime të tjera ballkanike që zhvillojnë trafik armësh dhe municionesh. Strukturat speciale të institucioneve shqiptare, kanë të dhëna për këtë linjë trafiku prej vitit 1991. Organet ndërkombëtare antitrafik kanë skeduar disa raste të kapjes së armëve në rrugët e trafikut mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Katër të arrestuarit, në datën 13 dhjetor 2004, Armir Troshani, Ilmi Isufi, Mentor Cani dhe Sokol Mujaj, janë të dyshuar se kanë kryer edhe më parë trafik armësh dhe droge, edhe pse kanë pohuar para hetuesve se gjashtë raketat tokë-ajër ishin të parat armë që ata trafikonin.

Trafiku

Raketat e kapura së fundi në afërsi të Tiranës, kanë patur si destinacion vendin tonë. Hetimet speciale që janë kryer kanë vërtetuar se një person nga Tirana i kishte porositur armët. Ai është identifikuar dhe qëllimet e tij dihen nga organet ligjore. Por strukturat speciale janë vënë në lëvizje, duke kërkuar prova për kohën gjatë së cilës trafiku ka zgjatur. Sipas informacioneve, lëvizja e armëve dhe e drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe anasjellas, kontrollohet nga një grup me lidhje fisnore nga Shkodra. Bashkëpunëtorë të tjerë gjenden në rrethe të tjera të Veriut. Grupimi, bazuar në disa të dhëna pamore, si regjistrimet filmike apo deklarime të personave të caktuar, ka mbështetjen e disa zyrtarëve. Të paktën kështu besojnë strukturat speciale të hetimeve, pasi kanë siguruar materiale filmike mbi takimet e trafikantëve dhe lidhjet e tyre. Edhe pse këto të dhëna ndodhen në zyrat e shërbimeve speciale, Prokuroria thotë se ende nuk ka marrë dijeni për këto fakte.

Destinacioni i raketave

Ilmi Isufi dhe Sokol Mujaj, dy nga të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë futur në Shqipëri 6 raketa tokë-ajër në datën 8 dhjetor të këtij viti. Trafikantët kishin planifikuar që mallin ta dorëzonin te një person, i cili është i njohur për Prokurorinë. Ky pjesëtar i rrjetit, ka bërë negociata me të arrestuarit gjatë datave 9 dhjetor deri më 13 dhjetor, kur është rënë dakord që vendi i dorëzimit të predhave “STRELA 2M” të ishte Fushë-Preza. Policia ka hedhur në shtyp versione të ndryshme mbi vendin ku do të shkonin raketat, por e vërteta, sipas dosjes penale, është se armët që po trafikoheshin ishin nisur për të mbetur brenda Shqipërisë.

Komunikimi i trafikantëve

Ilmi Isufi ka marrë në telefon Armir Troshanin, mbrëmjen e datës 13 dhjetor dhe e ka ftuar në shtëpinë e tij në Dobraç. Troshani, shofer i një kompanie sallami, ka telefonuar po në datën 12 dhjetor, Mentor Canin dhe i ka kërkuar të niseshin për në Tiranë me shkaqe pune. “Benzi” me targa TR 9789 J, është nisur në datën 13 dhjetor nga Shkodra dhe ka ndjekur rrugën e zakonshme drejt Tiranës. Atë mëngjes, në orën 06.30, Ilmi Isufi ka komunikuar disa herë në telefon me të arrestuarit Sokol Mujaj dhe Armir Troshani. Malli është ngarkuar në makinën e mbushur me sallam, ndërsa, sipas marrëveshjes, Troshani do të paguhej 300 mijë lekë të vjetra për rrugën deri në Tiranë. Raketat janë ngarkuar nga Ilmi Isufi dhe Armir Troshani. Mentor Cani dhe Armir Troshani janë nisur drejt Tiranës në një makinë, ndërsa Ilmi Isufi është nisur me një makinë tjetër dhe është lënë të flasin në telefon, kur të mbërrijnë në Tiranë. Ai shoqërohej nga Sokol Mujaj në makinën e tij me targa SH 5945 D. Armir Troshani sapo ka hyrë në Fushë-Krujë, ka folur në telefon me Ilmi Isufin, kur ai bashkë me Sokol Mujajn kanë qenë në Laç. Takimi është lënë te kryqëzimi i Rinasit.

KRONOLOGJIA

8 dhjetor 2004

Nëpërmjet një kalimi kufitar liqenor, Ilmi Isufi dhe Sokol Mujaj transportojnë brenda territorit shqiptar nga Mali i Zi, gjashtë raketa tokë-ajër “STRELA 2M”, me të gjitha pajisjet e tyre përkatëse

9 dhjetor 2004

Blerësi i raketave fillon negociatat me të arrestuarit dhe vendoset që dorëzimi të bëhet në afërsi të Tiranës. Blerësi komunikon me tre nga të arrestuarit

13 dhjetor 2004 (ora 06:30)

Përfundojnë negociatat. Vendoset që Fushë-Preza të ishte “tregu” i shitjes së raketave. Në orët e mëngjesit, katër të arrestuarit komunikojnë në telefon dhe nisen për në Tiranë

13 dhjetor 2004 (ora 14:30)

Forcat e RENEA-s lajmërohen për zhvillimin e një aksioni në Fushë-Prezë. Policia përforcon postblloqet dhe qëndron në pritje të dy makinave me armë

13 dhjetor 2004 (ora 15:20)

Rrengu përfundon me sukses. Raketat përfundojnë në vendin ku priste policia. RENEA sekuestron gjashtë raketat dhe dy makinat e të akuzuarve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›