Rodrigo Rodero me “Gjuha e pamundur” në Festivalin e Filmit në Durrës
Një histori dashurie e shkatërruar për faj të drogave, ku muzika, pjesë themelore e filmit, është një homazh për dekadën e viteve 80’, është në qendër të filmit “Gjuha e pamundur” e regjisorit spanjoll Rodrigo Roderos. Në kuadrin e International Film Summerfest të Durrësit, sot do të projektohet filmi spanjoll “Gjuha e pamundur” e Rodrigo Rodero. Filmi do të transmetohet në ora 12:00 në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Filmi spanjoll nga Rodrigo Rodero do të marrë pjesë në seksionin zyrtar “Vizione bashkëkohore” të International Film Summerfest të këtij qyteti.
“Gjuha e pamundur” (Spanjë, 2010) e Rodrigo Rodero, e bazuar në novelën me të njëjtin emër të Francisco Casavella, është një histori dashurie e shkatërruar për faj të drogave, ku muzika , pjesë themelore e filmit, është një homazh për dekadën 80. Historia përshkruan Fernandon, i cili banon në zemrën e Lagjes Kineze të Barcelonës, ku jeton duke trafikuar anfetamina dhe duke u shoqëruar me një galeri të veçantë personazhesh të këqij. Në një nga këto mëngjese që ai i vjedh jetës, Fernando do të njihet me Elsën, një të re adoleshente, të ëmbël dhe të gjallë, me një personalitet apasionant e vetë shkatërrues që do të konvertohet pa dashur në adhurimin e tij më të madh. Së bashku do të mundohen të jetojnë në një Barcelonë të poshtër e të errët e që gjatë natës zaptohet nga renegatët e shoqërisë e kodet e tyre të veçanta të jetesës.
Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës
Filmi “Këtu dhe atje”
Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës vijoi me një sërë shfaqjesh. Mbasdite në teatrin “Aleksandër Moisiu” në orën 18.00 nisi seksioni “Balkan world” me filmin “Here and there” me regji të Darko Lungulov. Filmi ka në qendër të tij një emigrant i cili lufton për të pasur një familje të bashkuar. Branko, një emigrant i ri serb, lufton me të gjitha forcat në një Nju Jork të pamëshirshëm për të tërhequr të dashurën e tij, Maria, nga Serbia në Amerikë. Roberti, një njujorkez i dëshpëruar, përpiqet të nxjerrë një dorë të mirë parash dhe bie dakord të shkojë në Beograd të martohet me të, në mënyrë që ajo të marrë vizën amerikane. Në vend të parave, Roberti gjen rrugën e jetës së tij në Serbinë kaotike!
Krijimtaria e Darko Lungulov
Skenaristi dhe regjisori Darko Lungulov, ka lindur në Serbi, transferuar në Nju Jork në vitin 1991. Diplomuar në City College në Nju Jork. Kthehet sërish në Serbi në vitin 2003. Dokumentari i tij ‘Escape’ (Arratia) fitoi Çmimin e Publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons në vitin 2004 dhe është shfaqur e ka marrë çmime në shumë festivale qysh atëherë, duke përfshirë: Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Amsterdamit, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Laipcigut, Festivalin e Fimit Go East, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Beogradit dhe Festivalin e Filmit të Santiago de Chile. Skenari i “Here and There” (Këtu dhe Atje) fitoi Çmimin e Fondit Ballkanik për Skenarët në Festivalin e 47-të të Filmit në Selanik në vitin 2006.
Filmi “Medalje e nderit”
Filmi “Medalje e nderit”, me regji të Calin Peter Netzer u shfaq në teatrin “Aleksandër Moisiu” në orën 20.00. Një ditë, Joni, një 75 vjeçar rumun, merr gabimisht një medalje nderi për një vepër "heroike" në Luftën e Dytë Botërore, kohëra që ai zor se i mban mend. Kjo medalje e detyron Jonin ta rishikojë edhe një herë gjithë jetën e tij. Ndoshta ai nuk ka qenë gjithmonë dështak. Ndoshta jeta e tij e ka një kuptim. Ndoshta ai do të thotë diçka për familjen e vet.
Krijimtaria e Calin Peter Netzer
Lindur më 1 maj 1975 në Petrosani, Rumani. Në vitin 1983, emigroi në Gjermani së bashku me prindërit. Që prej vitit 1984 jeton në Shtutgart, ku edhe ka mbaruar shkollën e mesme. Pas marrjes së diplomës në vitin 1994, filloi disa kurse në Universitetin e Teatrit dhe Filmit në Bukuresht, Rumani, në Departamentin e Regjisë së Filmave dhe në vitin 1999 u diplomua si regjisor filmi.
Filmi “Dasma e Sakos”
Në seksionin retrospektiv u shfaq “dasma e Sakos”, me regji të Vladimir Priftit. Ngjarjet e Dasmës së Sakos vijnë përmes mjegullash mesjetare në një qytet fantozmagorik. Nën çatitë e gurta dhe muret kështjellore, ndodhin drama të mëdha. Një përzierje e trembshme gjërash të egra me të brishta, urrejtjesh me dashuritë, vdekjesh me ripërtëritje. Metaforat marrin të thonë se shpërdorimi i pushtetit ka thelb të njëjtë por shfaqje të ndryshme. Në të gjitha rastet aspirata e vetme e njeriut është liria dhe një jetë me dinjitet të vërtetë njerëzor.
Krijimtaria e Vladimir Priftit
Lindi në Tiranë më 1 Qershor 1942. Mbaroi Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu” për aktor me 1964. Deri më 1974 punoi si regjisor pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë. Nga 1974 deri 1983 punoi si regjisor në TVSH ku realizoi dhe filmin e tij të parë televiziv “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në 1983 kalon si regjisor pranë Kinostudios “Shqipëria e Re” ku realizon dhe filmin e tij të parë artistik “Kush vdes në këmbë” 1984. Në vitin 1987 nderohet me titullin “Artist i Merituar”.
Programi i filmave në konkurrim
Festivali Veror i Filmit në Durrës (International Film Summerfest Durrës) mbahet më 29 gusht-4 shtator në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në Amfiteatrin e qytetit. Në konkurrim janë 17 filma, 10 në seksionin “Vizione Bashkëkohore” (Contemporay Visions) kandidatë për “Gladiatori i Artë”, për Filmin më të Mirë, për Regjisorin më të Mirë, Aktorin më të mirë dhe Aktoren më të mirë”. Dhe 7 në seksionin “Botë Ballkanike” (Balkan World) ku konkurrohet për çmimin “Filmi më i mirë Ballkanik” dhe Çmimin e Kritikës (FIPRESCI)
Vizione bashkëkohore
“Zemër kafshe” (Coeur Animal), regjia Séverine Cornamusaz, 2009
“Dosja K” (Dossier K), regjia Jan Verheyen, 2009
“Lirika të pamundura” (El Idioma Imposible), regjia Rodrigo Rodero, 2010
“Hi dhe gjak” (Cendres Et Sang), regjia Fanny Ardant,2009
“Kan Door Huid Heen”, regjia Esther Rots, 2009
“Ditët e fundit të Ema Blankut” (De Laatste Dagen Van Emma Blank), regjia Alex van Ëarmerdam, 2009
“Kohë të humbura” (UTOLSÓ IDÖK) regjia Áron Mátyássy, 2009
“Peshku I vogël” (Kleine Fische), regjia Marco Antoniazzi, 2009
“Sinestesia”, regjia Erik Bernasconi, 2010
“Është ferr me princeshën” (Peklo S Princeznou), regjia Milos Smídmajer, 2009
Botë Ballkanike
“Besa”, regjia Srdjan Karanovic, 2009
“Gomari” (Kenjac), regjia Antonio Nuic, 2009
“Këtu dhe atje” (Tamo I Ovde), regjia Darko Lungulov, 2008
“Medalja e Nderit” (Medalia De Onoare), regjia Calin Peter, 2009
“Kosmos” regjia Reha Erdem, 2009
“Disa histori të tjera” (Neke Druge Zgodbe), regjia Marija Dzidzeva, Ivona Juka, 2010
“Shenjat e dashurisë” (Love Scares), regjia Ivana Cetkovic, Branislav Milatovic, Milos Pusonjic, Mladen Vujacic
1 Shtator 2010