Ekstradohet nga Anglia i dënuari për vrasjen e gruas
TIRANE - Interpoli ka kthyer në Shqipëri nga Anglia të dënuarin me 12 vjet burg për vrasjen e një gruaje në vitin 1998. Edmond Kallmi është ekstraduar mesditën e djeshme dhe i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vuajtjen e dënimit të dhënë nga Gjykata e Beratit, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën akuzohet Kallmi ka ndodhur më 12 shtator të vitit 1998, në fshatin Perondi, të Beratit. 35-vjeçari në bashkëpunim me Dritan Vilën e Bandës së Lushnjës, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtëpisë ku banonte Hamit Baci. Nga të shtënat ka mbetur e vrarë bashkëshortja e të lartpërmendurit, Ariana Baci. Ngjarja ka ndodhur pas një grindje të mëparshme mes Hamit Bacit dhe të dënuarve Edmond Kallmi e Dritan Vila, një lokal të fshatit Perondi.