E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza rrëfen incestin në gjyq

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Në kushte të rënda psikologjike dhe e irrituar nga prania përtej hekurave, në të njëjtën sallë, e babait që e përdhunoi, 21–vjeçarja A.D nga fshati Tale e Lezhës dha dje dëshmi tronditëse për togat e zeza. Për herë të parë, që pas arrestimit të së atit, P. Daka, të dielën e kaluar është përballur me babain mostër, i cili për një vit me radhë e përdhunonte nën kërcënimin e thikës. Vajza shoqërohej nga ekspertët psikologë, të cilët që prej së dielës i janë gjendur afër, për shkak të gjendjes së rëndë emocionale në të cilën ajo ndodhej. Gjykata e Lezhës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 64-vjeçarin, Daka i cili akuzohet për veprën e incestit brenda familjes, përdhunimit si dhe të nxitjes në vetëvrasje. Megjithë dëshminë e vajzës, provë e së cilës është edhe ekspertiza mjeko-ligjore, 64-vjeçari mohoi edhe dje akuzën në gjykatë. Ai nuk pranoi të ketë përdhunuar vajzën. Por kundër dëshmisë së tij doli e bija, e cila rrëfeu gjithçka kishte ndodhur. Sipas saj, i ati e kishte kërcënuar se do ta vriste atë së bashku me nënën dhe dy motrat nëse ajo do të merrte guximin që të denonconte në polici. Me këtë kërcënim kishte vijuar ta përdhunonte atë sistematikisht që prej një viti. Incesti solli tragjedi në familjen e saj. Kur e ëma kuptoi atë që kishte ndodhur, ajo i dha fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja e fundit që solli edhe prangosjen e Dakës ka ndodhur të shtunën e kaluar kur 21-vjeçarja u përdhunua nga i ati në një arë me misër. “Pasi mori një thikë, ma vendosi në fytyrë. Më mori nga banesa nën kërcënimin e armës së ftohtë dhe më futi në arën që është e mbjellë me misër. Aty më përdhunoi. Gjithë skenën e kishte parë motra ime më e vogël, 19 vjeçe. Ajo priti gjersa babai u largua, pasi kishte frikë të ndërhynte. Më pas erdhi dhe më tha se duhej të denonconim në polici. U nisëm të dyja dhe denoncuam për atë që kishte ndodhur”. Kështu është shprehur vajza dje në gjykatë, ndonëse ende ishte në kushte të rënda psikologjike. Me babain e saj e ndanin hekurat e gjykatës. Ai ka mohuar në fund dëshminë e së bijës, duke u shprehur se gjithçka ishte sajesë e saj. Në përfundim të rrëfimit të viktimës së përdhunuar, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës ta linte në burg të arrestuarin. Më pas gjykata mori vendimin, duke lënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 64-vjeçarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›