E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjitimiteti dhe integriteti i LSI

Ilir Dashi 

Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, si proces politik, aktorë pjesëmarrës dhe rezultate, po shndërrohen gradualisht
në ngjarje historike që organikisht lidhen me të shkuarën, të tashmen, por ajo që i intereson më shumë publikut
shqiptar është lidhja e kësaj ngjarje me të ardhmen Nga ky këndvështrim, së pari, kjo ngjarje do të kujtohet si një garë
ndërmjet 34 subjektesh politike të inkuadruar në 4 koalicione Nga ky këndvështrim, së pari, kjo ngjarje do të kujtohet si një garë ndërmjet 34 subjektesh politike të inkuadruar në 4 koalicione me rregulla loje të vendosura vetëm nga 2 parti (vetëm në favor të tyre), me mjete manipuluese e shtypëse gjithfarësojshe në dëm të partive të tjera dhe më në fund, më e rëndësishmja, do kujtohet me rezultatin e garës – fituesit dhe humbësit.  LSI, si drejtuese e koalicionit të saj, kishte të drejtën e saj legjitime të vendoste se me kë do t’i bashkonte mandatet e saj. Dhe për shumë arsye, të bëra qartë dhe më transparente se kurrë para opinionit publik, vendosi t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për një maxhorancë të pastër kundrejt çdo lloj opsioni tjetër të pafavorshëm për vendin dhe vetë atë si forcë politike. Deri këtu kemi të bëjmë me legjitimitet, pra me të drejtat e plota që garantojnë ligji dhe rregullat e lojës demokratike në politikën e sotme shqiptare më të emancipuar e moderuar. Por, e thënë me plot gojën, LSI shpalosi edhe integritetin e saj për nga mënyra si u zhvillua gara, ku falë historikut të saj, strategjisë së pikasur të fushatës, programit elektoral më të mirin në treg (“Plani Për Veprim”), organizimit të fuqishëm në terren, qëndrimit korrekt me elektoratin dhe “lojtarët” e tjerë, si dhe të tjerë faktorë, arriti t’i rezistojë “fushatës shfarosëse të partive të vogla” e të “mbijetojë”, por me një peshë specifike të tillë që vendos sot balancën e duhur në Parlament. Sa më shumë kohë kalon aq më pak ia vlen të merresh më arsyetime se pse LSI nuk bëri këtë apo atë lëvizje? Në fund të zgjedhjeve 2009 LSI është fituese legjitime dhe me integritet të plotë.
Legjitimiteti dhe integriteti janë dy vlera të LSI-së qysh me krijimin e saj dhe në vazhdimësi. Për legjitimitetin e LSI më duhet të sjell ndër mend dy fakte. Së pari, ne shqiptarët, që në fillimet e demokracisë në Shqipëri, luftuam dhe e quajtëm triumf historik dhënien fund të sistemit monist, pra një-partiak. Por nuk kishim aspak synim të zëvendësonim atë medoemos me sistem dy-partiak. Plural do të thotë “shumë” e jo vetëm dy. Të gjithë e pranuam pluralizmin politik me kontekstin e së drejtës për lirinë e fjalës, të ideve të ndryshme të shprehura me anë mjetesh demokratike, në të cilat përfshihen dhe organizatat politike e shoqërore. Është tregu politik që vlerëson performancën dhe përcakton suksesin apo dështimin e një organizate, ku konkurrenca politike seleksionon, ashtu si dhe ka ndodhur në Shqipëri. Por dhe konkurrenca politike ka ligjet e rregullat e saj që duhet të zbatohen nga të gjithë aktorët, i madh apo i vogël qoftë. Në tërë këtë kontekst të gjitha përpjekjet, praktikat dhe mjetet e pandershme e antiligjore për të luftuar LSI-në deri në asgjësim tringëllijnë shumë anakronike, veçanërisht nga ata që flasin ditë e natë për politika të reja, përtej së majtës e së djathtës. Së dyti, ne shqiptarët vazhdojmë ta duam pluralizmin në formën e tij adekuate. Sondazhet që bëhen jo në kohë “të nxehta fushatash” jam i prirur t’u besoj më shumë. Një i tillë i kryer në korrik 2007 tregoi se vetëm 12% e të pyeturve preferojnë 2 parti politike në vend, 18% preferojnë 3 parti, po kaq preferojnë 4 parti, 29% preferojnë 5 parti dhe 14% preferojnë më shumë parti. Pra, rreth 80% e njerëzve preferojnë sistemin me më shumë se dy parti. Kjo është e besueshme dhe domethënëse për zhvillimin e demokracisë dhe perceptimin publik të sistemit politik edhe tek ne. Por këtë e deformojnë me zor, ende për fat të keq në Shqipëri, arkitektët e zgjedhjeve nëpërmjet tre mjeteve antidemokratike: 1) Kodit Zgjedhor 2) presionit gjithfarëllojësh ndaj zgjedhësve “të tjerë” (kupto: jashtë ngjyrave bardh e zi) dhe 3) manipulimeve (vjedhjeve etj) në administrimin e votës. Vazhdohet pra, të mohohet e drejta më themeltare, votimi i lirë dhe i ndershëm dhe, në kuptimin e pluralizmit, vazhdon të mohohet e drejta e përfaqësimit e të gjitha shtresave apo komuniteteve të popullatës, pavarësisht nga masa e përfaqësimit të tyre në Parlament. Fenomeni LSI, dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, ishte goditje proverbiale/historike ndaj të gjithë atyre, që mbartnin një mentalitet kaq primitiv. Ndaj dhe ky fenomen shënon një emancipim dhe modernizim në jetën politike shqiptare.
Integriteti i LSI, si forcë politike e afirmuar e së majtës, është shfaqur realisht gjatë tërë veprimtarisë së saj. Qëndrimet dhe përpjekjet e saj konstruktive në veprimtarinë parlamentare dhe ndaj të gjitha zhvillimeve në vend, iniciativat e ndryshme ligjore e sociale, si dhe i tërë pozicionimi i saj parimor opozitar ndaj ndryshimit makabër të Kushtetutës, ngjarjes së Gërdecit dhe Kodit Zgjedhor (deri në grevë urie), këto e të tjera flasin qartë për integritet të qenësishëm të LSI-së. Madje në kushtet e një diversioni të vazhdueshëm dhe izolimi të ashpër mediatik nga lidershipi  i Partisë Socialiste që kulmoi në zgjedhjet e këtij viti ky integritet del dhe më në pah. Protagonizmi politik i LSI-së që tmerronte gjatë tërë kohës këtë lidership ndodhi pikërisht në atë moment kur megalomanët prisnin eliminimin e saj dhe u ra si shuplakë aq fort mu në fytyrë, sa për herë të parë këta humbës u ndjenë të pashpresë dhe obsesioni LSI përfundimisht ra. Më 28 qershor, përkundrazi LSI vulosi statusin e faktorit të pamohueshëm, madje fort të rëndësishëm, progresist, integrues e modernizues të politikës shqiptare. Të gjitha çka më sipër përmenda janë premisa të shkëlqyera e shanse historike për Lëvizjen Socialiste për Integrim për konsolidimin e saj si forcë legjitime e politikës shqiptare dhe me integritet të majtë të spikatur. LSI po kalon në një stad të ri të filozofisë së saj politike. Me mendësinë e fitueses në zgjedhje dhe marrjen përsipër të sfidës së bashkë-qeverisjes ajo po programon platformën e saj të re për t’u provuar para qytetarëve, tashmë jo si opozitë, por me idetë e planet e saj të progresit, integrimit dhe moderimit qeverisës, të shprehura dukshëm në veprime e rezultate konkrete. Ajo çka do sjellë LSI në qeverisje është para së gjithash modeli Meta, me përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve për të bërë atë që thuhet. Sepse ajo e ka shumë të qartë se pëlqimi qytetar ndaj qeverisjes është garanci për rritje politike e stabilitet, në të kundërt, kontestimi i lartë qytetar është kosto e lartë qeverisëse dhe mundësi e vogël e vazhdimësisë. LSI e ka marrë parasysh këtë sfidë. E ka marrë përsipër, sepse LSI sot ofron një sinergji shumë interesante, e pa ndodhur deri më sot në Shqipëri. LSI po përgatitet për një zhvillim të ri programor për të garantuar suksesin e padiskutueshëm të kësaj sinergjie, ku ajo kontribuon me vlerat e pikat e saj më të forta, me kulturën politike moderne, ku mbizotërojnë shprehja e mendimit ndryshe dhe idetë e reja konkurruese të zhvillimit shoqëror. Bashkë me to, LSI sjell edhe potencialin e pasur njerëzor e intelektual, që ka për vënien në jetë të këtyre ideve nëpërmjet veprimit e aksionit. Këto karakteristika të forta të LSI-së do të jenë një aset mjaft i vyer për qeverinë e shtatorit 2009. Gjithësesi, në një këndvështrim më të ftohtë e të kthjellët, koalicioni qeverisës LSI-PD është një marrëveshje politike, e cila, si çdo tjetër e tillë, do të ketë një fillim, zhvillim dhe mbarim. Koha do të vërtetojë suksesin e kësaj marrëveshjeje e si rrjedhim, afirmimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim si forcë me legjitimitet dhe integritet të lartë politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›