E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët pyeten 4 orë për fëmijën

 

Skandali i vdekjes së fëmijës 6 vjeç për shkak të pickimit nga gjarpri është regjistruar për t'u hetuar nga Prokuroria e Korçës. Grupi i hetimit mbërriti dje në mëngjes në spital dhe për më shumë se katër orë mori në pyetje stafin e mjekëve dhe të infermierëve, që janë ndodhur në punë të dielën e kaluar, ku u paraqit me urgjencë vogëlushi Viktor Balliu. Tre mjekë, dy infermiere dhe farmacistja rojë janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen pasi u akuzuan nga prindërit e 6-vjeçarit për pakujdesi dhe neglizhencë. Mjekët duhej t'i bënin fëmijës një serum Antivipera, por ata u kërkuan prindërve që ta blinin atë në farmaci. Ata u gjendën të papërgatitur dhe nuk mundën ta blejnë, pasi kushtonte 8 mijë lekë. Për shkak të vonesës në mjekim, vogëlushi vdiq gjatë rrugës për në spitalin ushtarak. Pas akuzave të prindërve të 6-vjeçarit nisi hetimi, nga ku rezultoi se serumi antivipera ndodhej në farmacinë e spitalit, ndërkohë që mjekët kishin shënuar në kartelë se nuk kishte në spital serum të tillë. Grupi i hetimit ka pyetur deri në hollësitë më të vogla rreth shërbimit që iu afrua fëmijës së helmuar gjatë katër orëve, që ka qëndruar në spital dhe për masat që u morën për ta ndihmuar atë gjatë transportit me autoambulancën e spitalit. Sipas burimeve, mjekët kanë pohuar për grupin e hetimit se në momentin kur fëmija ishte paraqitur me urgjencë ata i kishin sugjeruar familjarëve ta blinin serumin, duke menduar se nuk kishin gjendje në spital. "Duke pasur parasysh se shumë nga ilaçet e rëndësishme për kurimin e sëmundjeve mungojnë në këtë farmaci, menduam se edhe serumi antivipera, që ka çmim të lartë, mungonte. Pa pyetur fare shkruam në kartelë se nuk disponohej nga farmacia', mësohet se kanë deponuar në unanimitet mjekët dhe infermierët e Korçës. Ndërsa farmacistja e spitalit ka dalë nga situata, duke i pohuar grupit të hetimit se tek ajo nuk ishte paraqitur askush për ti kërkuar serumin. Drejtues të spitalit kanë zhvilluar edhe dje një mbledhje. Mjekët që janë në hetim u janë përgjigjur pyetjeve të drejtuesve dhe kolegëve të tyre. Shumë mjekë duke iu referuar gjendjes normale të pacientit kur arriti në spital u shprehën se fëmija mund të ishte shpëtuar. Drejtori i spitalit Gjergji Denasi, pohoi se pritet ekipi i Ministrisë së Shëndetësisë e më pas do të merren masa pezullimi për mjekët dhe infermierët.

Farmacistja: Mjekët nuk më pyetën nëse kishte antivipera
Prokuroria e Korçës mori në pyetje dje edhe personelin e farmacisë së spitalit, veçanërisht farmacisten që të dielën ka qenë e gatshme. Mësohet se farmacistja është shprehur se ajo nuk ka qenë në dijeni të mbërritjes së një fëmije të helmuar nga gjarpri, pasi askush nga mjekët nuk i kishte kërkuar asaj një serum për shpëtimin e vogëlushit. Grupi i hetimit konstatoi se serumi antivipera, i nevojshëm për të luftuar helmimin e 6- vjeçarit disponohej nga farmacia e Spitalit. Farmacistja është shprehur për grupin e hetimit se ky serum ka qarkullim të ngadalshëm, sepse helmime gjarpri ndodhin për fat të mirë rrallë. Sipas saj, shishet që janë gjendje kanë mëse një vit që janë tërhequr dhe skadojnë në mes të vitit të ardhshëm. Pas marrjes në pyetje të gjithë stafit që ka qenë në gatishmëri fundjavën e kaluar, rezultoi se as tre mjekët dhe as infermieret nuk kanë kontaktuar me farmacinë e spitalit për të pyetur nëse kishte serum antivipera.

Kreu i urdhrit të mjekut: E pafalshme
KORÇE - Për vdekjen e vogëlushit dje është prononcuar edhe kryetari i degës së Urdhrit të Mjekut në Korçë, Robert Tomço. Ai u shpreh se në rastin konkret nuk mund të flitet për mjekë të veçantë, por për një ekip mjekësor. "Nëse fëmijës do t'i ishte injektuar serumi antivipera mund të shpëtonte nga vdekja", u shpreh Tomço. Sipas tij, është e pafalshme moskomunikimi i mjekëve me farmacinë e spitalit dhe plotësimi i kartelës apriori se mungonte serumi. "Autoriteti i Urdhrit të Mjekut do të verifikojë ngjarjen e faktet dhe më pas do të përcaktojë edhe një qëndrim për ngjarjen e ndodhur, u shpreh më tej Tomço. Sipas tij, mjekët duhej të kishin verifikuar gjendjen në spital e më pas të kishin plotësuar kartelën. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›