E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet nga kati i shtatë i pallatit pasi plagosi të vëllanë, vuante nga depresioni

Mustafa Hebovija ka goditur me thikë vëllanë e tij, M. H. pas një sherri midis tyre
Gjaknxehtësia i ka kushtuar shtrenjtë një 53-vjeçari në Shkodër. Pas një sherri me të vëllanë, Mustafa Hebovija, i cili vunate nga depresioni, ka marrë një thikë dhe ia ka ngulur të vëllait duke e plagosur rëndë atë. Vetëm pak çaste pas kësaj ngjarjeje Hebovija ka kujtuar se e ka vrarë atë dhe ka vendosur t’i japë fund jetës së tij, duke u hedhur nga kati i shtatë i një pallati. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës, ku 53-vjeçari Mustafa Hebovija, pas një konflikti më të vëllanë, 50-vjeçarin M. H., e ka plagosur atë dhe më pas është hedhur vetë nga kati i shtatë i pallatit duke gjetur vdekjen.
Ngjarja
Ka qenë paraditja e djeshme kur forcat e Policisë së Shkodrës janë njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në lagjen “Qemal Stafa” në këtë qytet. Sipas burimeve pranë Policisë së Shkodrës bëhet e ditur se ngjarja në fjalë ka ndodhur në lagjen “Qemal Stafa”, pikërisht në vendin e quajtur Ura Dervishbeg. Autori i saj ka qenë 53-vjeçari Mustafa Hebovija, i cili, pas një konflikti me vëllanë e tij 50-vjeçar me inicialet M. H., e ka goditur me thikë këtë të fundit duke i shkaktuar plagosjen. Sipas policisë, viktima, pak minuta para ngjarjes, konkretisht rreth orës 08:15, ka hyrë në banesën e vëllait të tij, i cili banonte një kat më poshtë, në të njëjtën ndërtesë, dhe pas një konflikti për motive të dobëta, e ka goditur me thikë këtë të fundit, ku në atë moment ka ndërhyrë bashkëshortja e të dëmtuarit, e cila ka arritur t`i heqë nga dora thikën kunatit të saj. Më pas Mustafa Hebovija është larguar nga shtëpia e të vëllait dhe është ngjitur në katin e 7-të, ku është mbyllur në banesën e tij dhe është hedhur nga ballkoni, duke rënë në rrugë, e për pasojë ka humbur jetën.
Hetimet
Grupi hetimor, i cili ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, nga veprimet paraprake të kryera ka konstatuar se gjithçka ka ndodhur për shkak të sherrit të plasur mes dy vëllezërve. Ndërkaq, vëllai i plagosur me thikë mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht është i shtruar në Spitalin rajonal të Shkodrës, ku po merr mjekimin e duhur. Nga hetimet e kryera dhe nga pyetja e të afërmve rezultoi se viktima prej disa muajsh ka vuajtur nga probleme mendore (depresioni), ndërkohë që konflikti me të vëllanë ka ndodhur për motive të dobëta, pasi nuk ka pasur më parë konflikt me të.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›