E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia 24-vjeçari i dënuar për abuzim me të mitur

TIRANE - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ekstradoi të premten nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Engjëll Balla.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2010 caktoi masën e sigurisë "arrest në burg", për 24-vjeçarin Engjëll Balla, për kryerjen e veprës penale të "marrëdhënies seksuale apo homoseksuale me persona të mitur".

Shtetasi Engjëll Balla është ndaluar nga punonjësit e policisë kroate në nëntor të 2010-ës, pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, i shoqëruar edhe nga një shtetase e moshës 14 vjeç. Pas hetimeve të kryera nga policia kroate në bashkëpunim me policinë e shtetit tonë, është konkluduar se shtetasja e mësipërme ishte viktimë e trafikut për qëllim prostitucioni me destinacion Belgjikën.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur më datë 17.01.2012, në "Aosta-Itali", arrestimi i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›