Roja i kompleksit vret pronarin e tij
Pajtim Sulejmani, 61 vjeç, mbeti i vrarë me disa thika në trup
KAVAJË - Roja private i një kompleksi vilash në Qerret të Kavajës, vret me thikë pronarin e tij, me pretendimin se ai e fyente dhe ofendonte.
Halil Buletini, 45 vjeç, nga Lekaj i Kavajës banues në Qerret të Kavajës, goditi disa herë me thikë, biznesmenin Pajtim Sulejmanin, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup, sidomos në pjesën e barkut.
Sipas burimeve zyrtare nga Komisariati i Policisë Kavajë, 61 vjeçari Sulejmani me banim në Tiranë është goditur me thikë rreth orës 01: 30 pas mesnatës së të mërkurës pranë një kompleksit vilash në pronësi të viktimës, në fshatin Qerret.
Agresori, sipas policisë, ka goditur shumë herë me thikë Sulejmanin, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Shkak për ngjarjen sipas pretendimeve të autorit, ka qenë ofendimet dhe fyerjet e herë pas hershme të viktimës ndaj tij dhe trajtimi jo i mirë që ai i bënte.
Policia ka arritur të arrestojë mëngjesin e djeshëm, pak kohë pas krimit, të fshehur në një banesë. Efektivat e Komisariatit të Kavajës kanë bërë të mundur dërgimin e biznesmenit në spital, por ai ndërroi jetë nga plagët e rënda rreth orës 3:00 në spitalin e Durrësit.
Autori i krimit është ndaluar vetëm pak kohë më vonë ndërsa është gjetur edhe sendi me të cilin është kryer vrasja. Gjatë pyetjes së tij, ai ka pranuar atorësinë e vrasjes, me pretendimin e fyerjes.
Gjithsesi policia ka pohuar se autori, Halil Buletini, ishte në gjendje jo të mirë psikologjike pasi vuante nga idea e persekutimit. Sipas burimeve Policore, i arrestuari ka deklaruar në Policinë e Kavajës se krimin e rëndë e ka kryer pasi në shumë raste viktima e përbuzte dhe e fyente për shkak të punës së tij si roje.
Autori i krimit, 45 vjeçari Buletini, ishte roje në një kompleks vilash pushimi, në pronë të Selmanit dhe të vëllait të tij. Sipas të dhënave, pas një hetimi të kryer nga Policia, mësohet se 45- vjeçari ka pasur edhe herë të tjera debate me pronarin e tij duke qenë se punonte në pozicionin e ruajtësit të objekteve të pushimit prej 8 vjetësh.
Një prej dëshmitarëve të ngjarjes me emrin Oligert Domi thotë se viktima ka qenë i ulur në lokal brenda kompleksit dhe në një moment është thirrur nga autori i vrasjes duke i kërkuar që të dalë jashtë për një problem. "Ai doli nga lokali dhe në afërsi të kalcetos, Buletini ka nisur ta qëllojë me një thikë të cilën e kishte fshehur poshtë rrobave.
Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave, ku asnjëri prej nesh nuk mundi të vinte nën kontroll situatën apo për të parandaluar masakrimin e ndodhur"- tregon Oligert Domi. Gjendja e rënduar psikologjike mund ta ketë shtyrë të punësuarin nga viktima që të sulmojë me thikë pronarin e tij duke i shkaktuar vdekjen.