E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia bosi i piramidës

Ish- administratori i firmës rentiere "Univers", është dënuar në shkurt të viti 2001 me 13 vite burg për mashtrimin nëpërmjet shumave të mëdha

Akuzohet se nga '94-'97 mashtroi 160 persona, duke iu marrë në formë huaje rreth 2.5 milionë dollarë


TIRANE- Mashtroi 160 persona duke u marrë 2.5 milionë dollarë. Ekstradohet nga Italia, drejtuesi i piramidës Univers, Ahmet Baçi, 46 vjeç nga Shkodra. Ekstradimi është kryer gjatë paradites së djeshme nga oficerët e zyrës së Interpolit, të cilët e kanë marrë në dorëzim nga kolegët italianë dhe autoritetet e këtij vendi, ndërsa lajmi i Ekstradimit të tij është njoftuar zyrtarisht dje nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko.

Ahmet Baçi, i njohur edhe me emrin Amadeo Baçi, 46-vjeç, nga Shkodra është ekstraduar dje nga Milano e Italisë, për llogari të drejtësisë Shqiptare.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se Baçi ishte shpallur person në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, më datë 15 shkurt të vitit 2001, e ka dënuar atë me 13 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes me anë të mashtrimit". Ahmet Baçi, nëpërmjet mashtrimit, u ka marrë para 160 personave për një periudhë kohe 3- vjeçare, dhe nuk ua ka kthyer më.

Shuma totale që ka përfituar 46-vjeçari nga këta persona arrin vlerën e 2.436.361 dollarë. Pas denoncimeve të shumta nga të dëmtuarit ai u shpall fajtor ndërsa emri i tij figuronte në listën e personave të kërkuar nga policia.


Mashtrimet


Në muajin mars 1994, shtetasi Ahmet Baçi nga Shkodra, në atë kohë 31-vjeç, ka qenë ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë "UNIVERS", me seli në Vorë të Tiranës.

"Në atë kohë ka filluar dhe aktivitetin kriminal të mashtrimit në formën e huamarrjes duke vjedhur me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit pasurinë e qytetarëve të ndryshëm",- bëri të ditur policia e shtetit.

Mësohet se Baçi iu premtonte personave të ndryshëm se paratë do t`i investonte në aktivitete fitimprurëse, dhe më pas do t'ua kthente paratë atyre me një vlerë shumë herë më të madhe sesa ua kishte marrë.

"Mashtrimet e Baçit zgjatën tre vjet nga 1994 deri më 1997. Gjatë kësaj periudhe ai mundi të mashtronte dhe t'iu merrte pasurinë 160 personave, e cila është vlerësuar në një shumë totale prej 2 milionë e 436 mijë dollarë.


Denoncimet


Tre vjet mundi të jetonte aktiviteti i Ahmet Baçit i cili i solli atij një fitim prej rreth 2.5 milionë dollarë. Pas tri viteve, personat që i kishin dhënë paratë Baçit, po konstatonin se asnjë investim nuk po kryhej dhe se paratë e tyre nuk po ktheheshin ndërsa asnjëri prej tyre nuk po pretendonte fitime.

Huadhënësit nuk po merrnin as paratë e tyre, ndërsa Baçi vijonte me mashtrimet e tij duke bërë që të mos i hynte "asnjë gjemb", 160 persona ende prisnin. Pasi konstatuan se nuk do t'iu ktheheshin më paratë, të dëmtuarit denoncuan njëri pas tjetrit administratorin e shoqërisë "UNIVERS", në polici.

Ndërkohë që pasi u regjistruan kallëzimet policia nisi verifikimet ndaj Baçit. Ky i fundit kishte mundur të largohej nga Shqipëria për tu strehuar në Itali. Pas katër vitesh, pikërisht më datë 15 shkurt të vitit 2001, provat e paraqitura nga akuza bindën gjykatën të shpallte fajtor biznesmenin duke e dënuar me 13 vjet heqje lirie për vjedhjen e pasurisë së 160 personave.

Ahmet Baçi u shpall në person në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia Shqiptare dhe më datë 22 prill të vitit të kaluar ai u arrestua në Itali. Pas njoftimit nga homologët italianë, për kapjen e të kërkuarit, drejtësia shqiptare nisi procedurat për ekstradimin e Baçit gjë e cila u realizua ditën e djeshme

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›