Kontigjenti i dytë paqeruajtës niset në Çad
Shqipëria dërgon kontingjentin e dytë paqeruajtës në Çad të Afrikës. Ky mision ushtarak jashtë vendit është i pari pas hyrjes së Shqipërisë në NATO. Ceremonia e përcjelljes së komandove është zhvilluar dje në Aeroportin e Rinasit ku merrnin pjesë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm.
Të pranishëm gjatë nisjes së paqeruajtësve në Çad të Afrikës kanë qenë dhe familjarët e paqeruajtësve. Kontingjenti shqiptar ka në përbërje të tij 63 ushtarakë , përkatësisht: 9 oficerë, 25 nënoficerë dhe 29 ushtarë profesionistë dhe komandant i misionit do të jetë kapiten Mentor Palluçi.
Misioni do të zgjasë 6 muaj dhe do të ketë si detyra kryesore, shoqërimin e personaliteteve në këtë shtet, ruajtjen e objekteve të veçanta dhe të sigurisë në bazë, ruajtjen e sigurisë të shtabit francez të misionit të BE-së, dhe sigurimin dhe shoqërimin e personelit të OKB-së.
Kontingjenti i parë paqeruajtës në këtë shtet e përfundoi misionin ushtarak në mars të këtij viti duke qëndruar 9 muaj në një nga shtetet më të nxehta të Afrikës. Aktualisht vendi ynë kontribon me misione paqeruajtëse në Afganistan dhe në Bosnje.