Topalli takon Buzek në Bruksel: “Parlamenti Europian mbështet Shqipërinë për heqjen e vizave"
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është nisur dje për një vizitë zyrtare në Bruksel ku është pritur në një takim nga Presidenti i Parlamentit Europian, Erhard Buzek. Në këtë takim Buzek ka premtuar mbështetjen e Parlamentit Europian për heqjen e vizave për shqiptarët pas gjashtë muajsh. Presidenti Buzek tha se Shqipëria ka bërë shumë progres drejt Bashkimit Europain duke theksuar se shqiptarët janë europianë. Ai vlerësoi shumë rolin e Shqipërisë në rajon dhe shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë një histori suksesi në Ballkan dhe Europë. Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Buzek për mbështetjen e Parlamentit Europian dhe e ftoi për një vizitë në Shqipëri dhe për t’iu adresuar me një fjalim Parlamentit shqiptar. Në këtë takim Topalli dhe Buzek kanë biseduar për situatën e shkaktuar në Veri të vendit për shkak të përmbytjeve. Presidenti i Parlamentit Europian gjatë fjalës së tij ka vlerësuar qeverinë shqiptare për atë që po bën për menaxhimin me përgjegjshmëri dhe seriozitet maksimal të kësaj situate. Kryetarja e Kuvendit falënderoi për ndihmën e dhënë dhe kërkoi vijimin e mbështetjes nga Parlamenti Europian në këtë situatë. Presidenti i Parlamentit Europian, Buzek, tha se “shprehim gjithë mbështetjen tonë në të gjitha termat për situatën”. Më tej, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare, kreu i Parlamentit Europian vlerësoi zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Ai tha se bojkoti i opozitës është shumë i keq.
13 Janar 2010