Ekstradohet vrasësi i dënuar me 25 vjet burg
Ekstradohet nga Greqia një i dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Robert Preni është sjellë dje nga Interpol-Tirana, ndërkohë që kërkohej prej disa vitesh. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur të premten se Interpol-Tirana realizoi ekstradimin nga Greqia të shtetasit në kërkim ndërkombëtar, Robert Preni, nga Tirana. "Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 188, datë 29.03.2000, e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet heqje lirie, për veprën penale të ‘vrasjes me paramendim‘ dhe ‘armëmbajtje pa leje‘, vendim i cili ka marrë formë të prerë", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ngjarja kriminale ndodhi më 2 gusht të vitit 1999 në Marikaj të Tiranës, ku i pandehuri ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin Shkëlqim Maloku dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga të njëjtat burime bëhet e ditur gjithashtu se në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas personi i ekstraduar iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.