Grabitja e argjendarisë, autorët janë të paskeduar
Personat që tentuan të grabisnin me armë pak ditë më parë një argjendari në sheshin "Sulejman Pasha" në Tiranë, nuk rezultojnë të skeduar nga policia. Kjo u bë e ditur të premten nga burime pranë policisë së Tiranës, të cilat pohuan se nga të dhënat paraprake të grumbulluara nga grupi hetimor, autorët e kësaj ngjarjeje nuk figurojnë në skedarët e policisë. Hetimet e deritanishme kanë konkluduar se në tentativën e grabitjes së argjendarisë mendohet se janë implikuar dy persona me moshë të re. Njëri prej tyre është filmuar edhe nga një kamerë sigurie, ndërkohë që për tjetrin ende nuk ka asnjë të dhënë. Policia tha se gjurmët e gishtave të tyre janë çuar në laborator, por ato nuk kanë rezultuar të ndonjë personi të skeduar. Ndërkohë, grupi hetimor ka përcaktuar edhe veprat penale të konsumuara nga autorët, të cilat janë "vjedhje me armë e mbetur në tentativë" dhe "vrasje e mbetur në tentativë". Ndërkohë, policia ka shoqëruar disa persona që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Në tentativën për të vjedhur me armë argjendarinë në sheshin "Sulejman Pasha", mbeti i plagosur lehtë pronari i saj, Dashamir Leka. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë. Kamerat e sigurisë së një salle lojërash fati kanë filmuar gjithë skenën, duke realizuar edhe një foto që i është dhënë policisë për identifikimin e njërit prej autorëve. Sipas përshkrimeve, ai është një i ri, rreth 20 vjeç dhe ditën e ngjarjes ishte veshur sportiv. Pas kryerjes së krimit, ai u largua me shpejtësi nëpër rrugicat e zonës pranë vendit të ngjarjes. Ndërsa i dëmtuari u dërgua në Spitalin Ushtarak dhe pas mjekimit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.