Ekstremistët grekë dhunojnë të riun shqiptar
Një 20-vjeçar, emigrant shqiptar, u dhunua dje nga një grup ekstremistësh grekë, teksa po priste biletën për t’u larguar nga zona e nxehtë e dhunës raciste që vazhdon që prej së enjtes së kaluar në fshatin Dhiavato, që ndodhet në zonën e Verjas. Mediat greke, duke cituar burime zyrtare të policisë, raportojnë se të riut shqiptar i ishte dashur të përballonte tortura të frikshme pasi u sulmua nga një grup i madh racistësh grekë, të identifikuar nga policia si grup i ekstremit të djathtë. Madje edhe autoritetet vendore atje kanë pranuar se incidentet me shqiptarët janë bërë problematike në fshatin Dhiavato. Duke iu referuar mediave vendase, gjithçka ka ardhur pas përleshjes mes tre grekëve dhe pesë shqiptarëve të enjten në mbrëmje, ku katër prej tyre mbetën të plagosur nga goditjet me thika mes tyre.
Policia greke e ka konfirmuar ngjarjen, duke dhënë edhe detaje të saj. Sipas policisë, dhunimi i emigrantit shqiptar ndodhi kur pesë grekë të hipur në një autoveturë, e ndoqën atë nga pas dhe ndërsa 20-vjeçari po përpiqej të gjente një biletë për t’u larguar nga Dhiavato, e kanë ndaluar dhe keqtrajtuar. Në dëshminë e tij në polici, i riu shqiptar ka thënë se kishte vendosur ta braktiste këtë zonë, për shkak të fushatës raciste me të cilën po përballen shqiptarët atje, duke pohuar njëkohësisht edhe largimin e shumë bashkatdhetarëve gjatë këtyre ditëve. Ai kishte shpresuar në qetësimin e situatës ndaj dhe e kishte marrë me vonesë vendimin për t’u larguar, nën shembullin e të tjerëve. Kur gjendja sa vinte dhe rëndohej për të shmangur mundësinë e rënies pre e sulmit racist, 20-vjeçari kishte shkuar në stacionin e autobusëve për të blerë biletën e largimit përgjithnjë nga Dhiavatoja. Në këto momente, grupi racist ndali makinën dhe që të pestë personat që ndodheshin në të iu vërsulën shqiptarit të pambrojtur, duke e qëlluar me grushte, shkelma dhe sende të forta në kokë dhe në trup e me sharje nga më të rëndat. Pasi e shtrinë të përgjakur në tokë, racistët nuk kanë reshtur ta godasin sa të mundnin të riun shqiptar, kurse shumë njerëz që gjendeshin rastësisht si kalimtarë, ndërhynë duke u përpjekur të ndalin agresorët, por deri atëherë ai kishte kaluar minuta të tëra nën dhunë çnjerëzore. Megjithatë, duhet thënë se ishte pikërisht ndërhyrja e kalimtarëve të rastit ajo që e shpëtoi nga vdekja shqiptarin e pambrojtur. Pasi e kishin realizuar misionin e tyre racist, të pestë dhunuesit ishin zhdukur me makinën e tyre nga vendngjarja. Policia e dërgoi të dëmtuarin në spitalin e Verjas ku edhe ka marrë mjekimin e menjëhershëm dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, frika vazhdon të mbajë brenda shtëpive të tyre emigrantët shqiptarë që jetojnë në Dhiavato Imathias. Shumë shqiptarë janë larguar nga zona, nga revanshi racist që kanë marrë të rinjtë ekstremistë grekë. Të enjten në mbrëmje tre grekë dhe pesë shqiptarë u përleshën dhe për pasojë katër prej tyre mbetën të plagosur nga goditjet me thika. Në gjendje më kritike ishte një 17-vjeçar grek, banor i zonës, i cili tani e ka kaluar rrezikun për jetën. Sherri kishte nisur nga sharjet që dy djem shqiptarë, vëllezër, 20 dhe 22 vjeç, ngacmuan 17-vjeçarin grek duke e fyer për mënyrën si ai i jepte biçikletës.
#