E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Ideja e Tadiçit për ndarjen, një marrëzi

Prishtinë Kryeministri i Kosovës: Serbia do të pësojë edhe autogola të tjerë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Kosova tashmë është 100 për qind e pavarur. Në një intervistë për BBC-në ka thënë se idetë e Presidentit serb Tadiç për negociata mbi statusin e Kosovës janë krejtësisht të parealizueshme dhe se Kosova tashmë është 100 për qind e pavarur. Kjo që vjen nga Serbia është një “ide e marrë”. është një ide që ka qarkulluar që nga periudha e Sllobodan Millosheviçit dhe është diçka që është më së paku e parealizueshme, e cila nuk i duhet as Serbisë, as rajonit dhe si e tillë shpejt do të nxirret në harresë. Prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës, ishte shumë i qartë, plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në përputhshmëri me vendimin e institucioneve për të shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ka thënë Thaçi, dhe ka shtuar se kjo “ishte fitore historike e diplomacisë kosovare dhe e institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë”. Thaçi ka thënë se tani është hapur një kapitull i ri për shtetin e Kosovës, kapitulli i konsolidimit dhe i forcimit të shtetit, i vazhdimit të njohjeve të reja dhe procesi i integrimit në NATO, në BE dhe në OKB. Kryeministri tha se nuk kemi bërë shumë zhurmë për opinionin e GJND-së, por kemi punuar shumë, së bashku me ekspertët vendorë e ndërkombëtarë për prezantimin e opinionit të GJND-së dhe kjo tashmë ka dhënë efektet e veta maksimale që ishin befasi edhe për optimistët më të mëdhenj, por edhe për pesimistët. Mendoj se pas GJND-së do të vazhdojnë njohjet e reja. Serbia natyrisht do të vazhdojë me rolin e vet destruktiv, por është e paaftë dhe e pandikim në opinionin ndërkombëtar për të penguar ecjen përpara të Kosovës. Për Kosovën do të ketë vetëm njohje të reja, zhvillim dhe integrim. Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth angazhimeve serbe kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, Thaçi u shpreh se kjo “nuk është diçka e papritur nga Serbia, por përsëri do të pësojnë autogola të tjerë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›