E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstremistët serbë kanë kërcënuar basketbollistët e skuadrës "Bambi"

Skuadra minoritare "Bambi" nga Mitrovica, e cila nuk ka zhvilluar ndeshjen e parë të SiguriaSuperligës ndaj Trepcës, e paraparë që të zhvillohej të mërkurën në Mitrovicë, ka konfirmuar thëniet se zyrtarët dhe basketbollistët e kësaj skuadre janë kërcënuar nga persona të panjohur në pjesën veriore të Mitrovicës dhe për këtë arsye zyrtarët e skuadrës së vetme serbe në basketbollin e Kosovës, i kanë kërkuar Federatës së Basketbollit të Kosovës që të shtyjë dy ndeshjet e radhës të kësaj skuadre. "Klubi i basketbollit ‘Bambi' është drejtuar më kërkesë për shtyrje të dy ndeshjeve të para të KB ‘Bambi' të kampionatit të SiguriaSuperligës deri sa të qartësohet situata e sigurisë, pas kërcënimeve për jetë të bëra nga persona të panjohur në pjesën veriore të Mitrovicës, për udhëheqjen dhe lojtarët e këtij klubi", ka njoftuar FBK përmes një kumtese për media. "Duke pasur parasysh seriozitetin e kësaj cështje, Federata e Basketbollit të Kosovës kërkon vlerësimin e UNMIK-ut dhe organeve tjera kompetente të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që Bordi i FBK-ës të merr vendimin e drejtë në funksion të mirëvajtjes së garave dhe dëshirës për integrimin në familjen e basketbollit kosovar të komuniteteve pakicë", vazhdon kumtesa e FBK-së. Federata e Basketbollit të Kosovës do të zhvillojë sot mbledhjen e bordit, në të cilën do të merret vendimi për kërkesën e klubit "Bambi".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›