E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja e Spanjës, Luis Aragones apo Marcelo Lipi?

Marcelo Lipi, ish trajneri i Italisë, ka pohuar para gazetarëve se mbase mund të rikthehet në drejtimin e një skuadre. Destinacioni i ardhshëm përflitet ekipi kombëtar i Spanjës. Por si mund të drejtojë Lipi kombëtaren spanjolle, kur në pankinën e këtij ekipi është 70 vjecari Luis Aragones?
Ditët e fundit ka pasur një diskutim në mediat spanjolle, nëse Aragones është i aftë akoma të drejtojë edhe për shumë kohë ekipin kombëtar. Pyetja që u shtrua ishte: Sa i motivuar është një 70 vjecar për suksese në ekipin kombëtar që drejton? Dhe si shembull u mor ish tekniku i Italisë, Marcelo Lipi. U tha, që edhe pse Lipi arriti një sukses të madh me Italinë, duke e shpallur Kampione Bote, sërish ai dha dorëheqjen.
Nëse Lipi, që arriti të shpallë Kampion Bote Italinë dha dorëheqjen, pse mos ta bëjë një gjest të tillë edhe Luis Aragones. Ky trajner ka gjashtë vjet në krye të pankinës së Spanjës dhe jo vetëm që nuk ka fituar asnjë trofe, por nga Botërori i Gjermanisë, ekipi u largua shumë shpejt. Si për ironi, mediat spanjolle flasin që zëvendësuesi i Aragonesit 70 vjecar, të jetë Lipi 58 vjecar. Dëshira e spanjollëve u forcua edhe më shumë pas fjalëve të Marcelos, i cili deklaroi: "Në të ardhmen mund të drejtoj një tjetër ekip futbolli. Dëshira ime? - Spanja."
Pra, e thënë më shqip, italiani dëshiron të drejtojë ekip kombëtar, sepse me klubet ai duket se i ka mbyllur llogaritë.
Marcelo Lipi...
Lindi më 11 prill të viti 1948 në Viarexho të Toskanës. E nisi karrierën futbollistike në 1969 me ekipin e Sampdorias. Më pas luajti në radhët e Pistoieses. Në vitin 1982 nis karrierën si trajner. E fillon në ekipin e Sampdorias, asokohe në Serinë B. Në vitin 1989, arriti të sjellë Sampdorian në Serinë A. Pasi përfundon misionin me këtë ekip, kalon tek Atalanta. Në sezonet pasardhëse merr përsipër të drejtojë ekipe si Lukese, sërish Atalanta dhe Napoli. Në 1994 merr në drejtim ekipin e Juventusit. Arrin të fitojë tre kampionate, një Kupë Italie, katër Superkupa po në Itali, një Kupë Kampionësh, një Superkupë Europe dhe një Kupë Interkontinentale. Në sezonin 1999-2001 drejton ekipin e Interit. Dështim. Faji i lojtarëve apo i Lipit? Nuk ka rëndësi. Ajo që vlen, është se shpejt Lipi e kuptoi që ekipi i Interit nuk ishte për të dhe u rikthye te Juvja. Tek ekipi nga Torino, Marcelo kishte lënë planet përgjysmë. Sukseset po e prisnin. Fiton dy kampionate. E dërgoi ekipin deri në finalet e Kupës së Kampioneve, por humbet. Botërori i Gjermanisë e gjen trajner të kombëtares. Me atë qetësinë e tij, kishte përpiluar një strategji të qartë në kokë. Italia luan pa shumë shkëlqim dhe si rastësisht, e sheh veten në finale. Franca përballë. Koha e rregullt përfundon barazim. Po ashtu dhe shtesat. Penalltitë. Franca e nervozuar, Italia e qetë. Qetësi që e shpalli Kampione Bote. Lipi jep dorëheqjen. Donte disa muaj pushim. Por edhe këtë periudhë pushimi duket se e ka kaluar dukë bërë llogari. A ja vlen të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Spanjës? Shihet qartë, që llogaritë i kanë thënë që ai vlen të rrezikojë sërish.
Luis Aragones...
Lindi më 28 korrik të vitit 1938 në Madrid. Karrierën si futbollist e fillon tek ekipi i Gedafes në vitin e largët 1957. Në 1959 luan për Rekreativo De Huelva. Viti ‘60 e gjen tek ekipi i Herkulesit. Viti 1961 e gjen në ekipin e Real Oviedos. Nga 1962 deri më ‘64 luan tek ekipi i Real Betisit. Në fund, për 10 vjet rresht, nga 1964 deri më 1974 luan tek ekipi i Atletiko Madridid, ku në 265 ndeshje shënon 123 gola. Pas tërheqjes nga futbolli, ai bën kursin për trajner. E përfundon me sukses dhe ekipi i parë që e punëson është ai ekip që Aragones i fali 10 vjet nga jeta, Atletiko i Madridid. Nga 1974-‘80 drejton ekipin Madrilen. Bën një shkëputje nga ekipi i Atletikos dhe për një vit drejton Real Betisin. Por zemra nuk i ka mbetur në Madrid dhe në 1982 rikthehet tek ekipi i dashur. Qëndron deri në 1987. Më pas drejton Barcelonën, Espanjolin, Atletiko Madridin, Seviljen, Valencian, Real Betisin, Real Oviedon, Majorkën, Atletiko Madrdin sërish Majorkën dhe... vjen kombëtarja.
Ka gjashtë vjet në krye të pankinës. Por nuk ka arritur asnjë trofe. Tashmë shtrohet një pyetje...
Aragones apo Lipi...
Shtypi dhe tifozeria spanjolle u intriguan shumë nga gjesti i Lipit, i cili megjithëse u shpall Kampion Bote, sërish dha dorëheqjen. Kërkojnë largimin e Aragonesit. Por plaku 70 vjecar, mesa duket nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Lipi, ndërkohë, nga ana e tij i ka lëshuar "grepat" drejt kombëtares spanjolle. Pyetja është: Aragones apo Lipi. Nëse do të duhej që federata spanjolle të zgjidhte midis këtyre të dyve, me siguri që kandidatura më e favorizuar do të ishte ajo e Lipit. E para, është më i ri se Aragones. E dyta, në karrierë ka më shumë suksese se Aragones. Dhe e treta, Lipi ka një sedër që i nevojitet kombëtares spanjolle. Pra Marcelo, përvecse praktikon skema të dobishme, por edhe di të tërhiqet në momentin e duhur. Ekipit kombëtar të Spanjës i nevojitet një trajner i tillë. Cfarë do të ndodhë më vonë? Nuk e dimë. Na mbetet vetëm të presim.
Elio Laze

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›