Shqipëria fiton 8-0 me VPV Purmersteijn. Salihi 5 gola

Kombëtarja e Shqipërisë fitoi 8-0 me skuadrën rajonale të Amsterdamit, VPV Purmersteijn. Protagonist i skuadrës kuqezi ka qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar Hamdi Salihi, që në këtë takim shënoi 5 gola me vetëm 45 minuta aktivizim në pjesën e dytë.
Ekipi i përfaqësueses shqiptare e filloi takimin me këtë formacion: Beqaj, Dallku, Dede, Hasi, Haxhi, Lala, Curri, Skela, Kapllani, Berisha dhe Tare. Ndeshja filloi në orën 17:30 në kompleksin sportiv te Akademisë VPV Purmersteijn.
Të parët që shënuan në portën skudrës holandeze ishin Tare dhe Berisha duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-0 per kuqezinjtë.
Në pjesën e dytë trajneri Baric aktivizoi edhe lojtarët e tjerë të skuadrës: Likëen, Salihin, Bogdanin, Mukën, Bulkun, Osmanin, Pishën dhe Aliajn. Gjatë pjesës së dytë ka qenë sulmuesi shkodran Hamdi Salihi i cili i ka dhënë tonin ndeshjes duke shenuar plot 5 gola dhe duke treguar formën e mirë që gëzon edhe me skuadrën e Tiranës. Golin e 8-të për kombëtaren kuqezi e shënoi Devi Muka, që ka rikuperuar gjendjen e tij shendetesore. Për t'u theksuar është dhe fakti se Skela dhe Aliaj kanë humbur secili nga një 11-metërsh. Pas takimit trajneri Baric është shprehur i kënaqur me lojën e skuadrës duke përmendur formën e mirë të Hamdi Salihit. Ai është shprehur i kënaqur edhe me gjendjen fizike të lojtarëve në prag të sfidës më të vështirë në grupin tonë eleminator ndaj Holandës. Gjatë ndeshjes ekipi ynë kombëtar është mbështetur edhe nga publiku i shumtë i pranishëm në këtë kompleks.