E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesja e Kosovës në turneun e Jordanisë

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për meshkuj, është ftuar për të marrë pjesë në një Turne Ndërkombëtar të Basketbollit, ka njoftuar të enjten Federata e Basketbollit të Kosovës. Në adresë të FBK-së ka arritur ftesa për pjesëmarrjen e skuadrës përfaqësuese të Kosovës në Turneun Ndërkombëtarë të Basketbollit "Kupa e V e Mbretit Abdullah II", i cili do të mbahet prej 16 deri më 24 nëntor 2006 në Aman të Jordanisë.
Përvec skuadrës mikpritëse Kombëtares së Jordanisë, në këtë turne është paraparë të marrin pjesë edhe Kombëtaret e Egjiptit, Sirisë dhe Libanit, skuadrës që ishte pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Basketbollit "Japonia 2006" që u zhvillua kohë më parë. Gjithashtu organizatorët e turneut kanë njoftuar se pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar edhe skuadra kampione e Cekisë dhe një skuadër e ligës profesioniste amerikane NBDL. Organizatorët jordanezë kanë ftuar edhe skuadrat Kombëtare të Kinës, Koresë së Jugut, Filipineve, Japonisë dhe Nigerisë, si dhe një skuadër nga Italia, Serbia dhe Bullgaria prej të cilave pritet konfirmimi. Federata e Basketbollit të Kosovës është në pritje të informative shtesë nga organizatori i këtij Turneu, Federata e Basketbollit të Jordanisë. Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për herë të fundit kishte zhvilluar një ndeshje gjatë turneut "Aleksandria 2005", i cili ishte zhvilluar në korrik të vitit të kaluar në Aleksandri të Egjiptit. Skuadra e drejtuar nga Bujar Loci kishte mposhtur Rumaninë me rezultatin 81:79 dhe Egjiptin me rezultatin 79:77, ndërsa kishte humbur trofeun pas një ndeshje të dytë të zhvilluar ndaj Egjiptit, në të cilën ishin mposhtur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›