E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstremizmi greko-qipriot, dje dhe sot

 Kandari i pushteteve të ‘protektorëve” të ishullit sot anon më tepër nga ana e turqve, si kurrë ndonjëherë më parë. Nga njëra anë kemi Turqinë si fuqia e 16 ekonomike në botë, e nga ana tjetër qëndron Greqia, në buzë të greminës ekonomike dhe me një borxh tejet të rënduar.

Pala turke e qipriotëve, e cila votoi ‘Pro’ në masën 65% për “Planin Anan për Qipron(APQ), është shprehur gjithmonë në favor të mbajtjes së negociatave të udhëhequra nga ish kreu i OKB-së Kofi Anan, për gjetjen e një zgjidhjeje të respektit e mirëkuptimit  reciprok , pavarësisht faktit se qipriotët grekë votuan ‘Kundër” në masë 75%, në referendumin e bashkimit të ishullit. Ndërkohë, pjesa jugore e ishullit po përballet me një krizë të rënduar energjitike, pasi autoritetet zyrtare greko-qipriote nuk janë në gjendje të furnizojnë ishullin me më shumë se dy orë energji elektrike në ditë. Sigurisht që pasojat e krizës së Greqisë ndihen fort edhe në Qipro dhe nevojiten miliarda dollarë  për të vënë në rend sistemin e furnizimit me energji të kësaj pjese të ishullit.

Mendoni për një çast kur temperaturat shkojnë edhe në 45 gradë, e të mos kesh mundësi të përdorësh kondicionerët. Në këtë gjendje të pjesë jugore të ishullit, pala turke ofroi ndihmën e saj për të lehtësuar situatën energjitike pikërisht në pikun e sezonit turistik.  Kjo sjellje e palës turke duhej trajtuar si një akt humanitar e për t’u përshëndetur. Por, “impakti” nga pala greke ishte krejt ndryshe. Politikanët greko-qipriotë u ndjenë të bezdisur, ndërsa reagimi i Kryepeshkopit greko-qipriot, Chrysostomos: “Më mirë të ndriçohesha me qiri e kandil”.

Me këtë qëndrim, autoriteti më i lartë fetar i ishullit është shprehur qartë se është e ndaluar rreptësisht të pranosh ofertën për ndihmë që vjen nga ana tjetër e ishullit, pra nga pala turke. Edhe institucionet relevante evropianë kanë rastin më të mirë për të kuptuar se cila palë është kundër bashkimit të ishullit dhe bashkëpunimit të qytetarëve të saj që i përkasin etnive të ndryshme. /Z.Gj/Start/

                                                                                             2011-07-23 09:11
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›