E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, aksident në hyrje të qytetit

 

KUKES - Një aksident me pasojë plagosjen e rëndë të një drejtuesi automjeti ka ndodhur natën e së shtunës, 3 km larg qytetit të Kukësit në të ashtuquajturin rrethrrotullim që lidh autostradën Kukës-Morin me qytetin e Kukësit. Aksidenti ka ndodhur pikërisht në njërin krah të rrethrrotullimit, i ndërtuar para pak kohësh dhe i dëmtuar nga shembjet e dherave të mbledhura artificialisht për të ngritur bazamentin e tij. Për pasojë ka çarje dhe rënie të elementëve mbrojtëse. Në këtë segment lëvizja e automjeteve bëhet duke shkelur kodin rrugor, pasi ende nuk ka përfunduar krahu tjetër dhe automjetet dalin nga autostrada nga krahu i kundërt. Në fakt ky segment rrugor kthehet në makth për drejtuesit e automjeteve, pasi po zgjat pambarimisht dhe nuk po përfundon. Drejtimi i automjeteve ndryshon përditë nëpër rrugë të improvizuara plot pluhur dhe baltë. Ky segment është frenuar jo vetëm nga vonesat e punimeve, por dhe nga moskompensimi i pronarëve, të cilët kanë pronat e tyre në gjurmën e devijimit në afërsi të qytetit të Kukësit. Ndërkohë po evidentohen problemet përgjatë gjithë aksit, kryesisht shembje në autostradë sidomos tek ish-divizioni i Kukësit dhe në hyrje të urës më të madhe të Përbregut në segmentin Kukës-Morin. Në disa vende sidomos aty ku është ngritur bazament artificial për ngritjen e shtratit të rrugës ka pasur dhe shembje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›