E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i 47-vjeçarit në Pogradec, shoqërohen 20 persona

POGRADEC - Mbetet ende mister ekzekutimi i 47-vjeçarit Myderi Verdha një ditë më parë në Qafë Pllocë të Pogradecit.
Policia bëri të ditur se ka shoqëruar rreth 20 persona, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 75 gëzhoja. Autoritetet kanë ngritur dyshime se mes ekzekutorëve dhe viktimës ka pasur një shkëmbim zjarri, duke u nisur edhe nga fakti se viktimës iu gjet në dorë një pistoletë.
Pista kryesore ku janë përqëndruar hetimet mbetet hakmarrja, pasi Verdha dyshohet se ka qenë një vrasës me pagesë.

47-vjeçari i njohur si person me disa precedentë penalë u ekzekutua me 32 plumba ne automjetin e tij tip Benz me targa te Pogradecit 5477 B nga persona ende të paidentifikuar, që i kishin zënë pritë.
Në vitin 2001 Verdha ishte arrestuar, e më pas lënë i lirë, për mungesë provash për vrasjen e Azem Gorës.

ATENTATI
Atentati është bërë në pritë nga dy ose më shumë persona, të cilët e kanë ditur mirë itinerarin e ditës së Verdhës. Njëkohësisht, është zgjedhur koha kur në rrugë nuk kishte shumë lëvizje, pasi njerëzit ndiqnin ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari. Grupi i hetimit ka zbardhur dhe disa detaje para dhe në ngjarje. "Në orën 10:00 Verdha ka ardhur nga Leshnica ku banon, në qytetin e Pogradecit, me mjetin e tij. Dëshmitarët kanë pohuar se është parë me disa shokë duke pirë kafe në një nga lokalet në qendër të qytetit. Më pas (rreth orës 13:00), ka shkuar në zyrat e Qendrës Sanitare (ku më parë ka qenë shofer) ku ka takuar disa punonjës. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, Verdha është nisur në drejtim të Leshnicës. Rreth orës 16:00, tek kthesa e madhe e Qafë-Plloçës, banorët kanë dëgjuar breshëri të shumta armësh dhe janë alarmuar. Nga gëzhojat e gjetura, goditjet në makinë dhe plumbat në trupin e viktimës, breshëritë janë bërë me kallashnikovë nga dy drejtime, nga djathtas e majtas mjetit. Viktima, për mbrojtje ka nxjerrë dhe një pistoletë, e cila iu gjend në dorë. Viktima u dërgua për autopsi në spital, ku mjekët konfirmuan se në trupin e tij rezultojnë 32 goditje me armë. Po hetojmë në disa pista, ku ndër kryesoret mbetet hakmarrja. Kemi shoqëruar disa persona"- bënë të ditur burimet e policisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›