Privatizimi i “Albtelekom”, qeveria përzgjedh si konsulente “Zagrebacka Banka”
Pas suksesit me shitjen e aksioneve të mbetura tek AMC, për rreth 45 milionë dollarë, qeveria lidh një tjetër kontratë me kroatët. Tenderi për gjetjen e konsulentit për privatizimin e 24 për qind të aksioneve të “Albtelekom” duket se ka rezultuar me sukses, pas më shumë se një vit dështimesh radhazi. Do të jenë konsorciumi “Zagrebacka Banka d.d, UniCredit Markets & Investment Banking”, konsulentët e qeverisë për shitjen e aksioneve të mbetura në shoqërinë gjigante të fiksit në Shqipëri. Aktualisht 76 për qind e aksioneve zotërohet nga turqit e “Çalik Holding”, që i blenë në 2005-n, për rreth 120 milionë dollarë. Privatizimet do të jenë një tjetër sfidë e qeverisë për këtë vit krize, duke u përpjekur të rrisin sadopak të ardhurat në buxhetin e shtetit. Aktualisht, në proces privatizimi është edhe shoqëria e vetme e prodhimit të naftës, “Albpetrol”, si dhe INSIG, së bashku me disa asete të mbetura në kompani të tjera. Për tenderin e konsultimit, zhvilluar më 15 mars 2010, Ministria e Ekonomisë, do të paguajë rreth 130 mijë dollarë, nga 250 mijë dollarë që ishte fondi limit, që do të thotë se kroatët me partnerët e tyre kanë ofruar gjysmën e çmimit në tender. Privatizimi i pjesës së mbetur të “Albtelekom” ka nisur dy vjet më parë, por tenderi dështonte për arsye teknike procedurale. Një tjetër problem për qeverinë është ndarja e aseteve me ish-pronarët dhe punonjëset e kompanisë, të cilët sipas ligjit zotërojnë aksione dhe se duhet t’i likuidojnë me bono privatizimi.
Qeveria parashikon të krijojë rreth 200 milionë dollarë të ardhura nga shitja e pasurisë shtetërore që zotërohet nga disa institucione. Fushata u iniciua pak kohë më parë nga ministri i Ekonomisë dhe u pasua më pas nga ai i Mbrojtjes.
Prifti: “Shqipëria dhe Polonia kanë mundësi të shumta bashkëpunimi ekonomik”
“Shqipëria ka mundësi shumë të mëdha për të rritur bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik me Poloninë, pasi të dyja janë vendet e vetme me rritje ekonomike në Evropë”.
Kështu ka pohuar në fjalën e tij ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, gjatë forumit për bizneset mes këtyre dy vendeve, duke pohuar se sikundër ekziston një klimë shumë e mirë politike mes dy vendeve, edhe ekonomikisht duhet të përpiqemi për të arritur një bashkëpunim eficient. “Shqipëria dhe Polonia në fushën ekonomike kanë një gjë të përbashkët, ajo e rritjes ekonomike në vitin 2009, kur në kushtet e krizës globale financiare, e para pati rritje 3 % të GDP-së ndërsa e dyta me 2 % të GDP-së”,- u shpreh ministri Prifti. Sipas tij, në këto kushte, bashkëpunimi mes dy vendeve tona mund të jetë dhe duhet të jetë më eficient, pasi jemi dy vende që rritemi. Sa i përket kuadrit ligjor, Prifti deklaroi se është shumë i favorshëm në të dyja vendet tona. “40 milionë euro është volumi tregtar mes dy vendeve tona, nga të cilat 39 milionë i zënë importet dhe më pak se 1 milionë euro eksport mallrash drejt këtij vendi”,- tha ministri i Ekonomisë, Prifti.
8 Qershor 2010