E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i emigrantit Tahiri, arrestohet Fatmir Avdillari



Policia e Tiranës ka vënë në pranga 36-vjeçarin Fatmir Avdillari, i cili qëlloi për vdekje një person dhe plagosi një tjetër në mbrëmjen e së dielës së 10 prillit. Pas punës së kryer nga agjentët e policisë, u arrit që 36-vjeçari të gjendej dhe të arrestohej. Avdillari akuzohet se qëlloi me pistoletë duke lënë të vdekur emigrantin Ardian Tahiri, ndërkohë që shoku i tij Roland Caka mbeti i plagosur. Ngjarja për të cilën akuzohet Fatmir Avdillari ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të dielës, në stacionin e fundit të Tiranës së Re. Viktima dhe shoku i tij ishin duke qëndruar në një lokal të zonës, kur i është afruar 36-vjeçari, i cili ka nxjerrë një pistoletë, të cilën e mbante me vete dhe me të ka qëlluar ndaj 30-vjeçarit. I riu është qëlluar në kokë, duke iu shkaktuar kështu vdekja e menjëhershme. Më pas, ai është larguar me shpejtësi, duke iu shmangur arrestimit. Policia shkoi në vendngjarje dhe ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e aksidentit. U morën në pyetje disa persona, që kishin lidhje me ngjarjen, si dhe u krye këqyrja e vendit të ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, viktima kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni, ku kishte jetuar për shumë vjet në Greqi. Sipas hetuesve, dyshohet se krimi ka ndodhur me qëllim hakmarrjen. Vrasja e vëllait të Avdillarit një vit më parë në Greqi dyshohet të jetë pista ku janë duke hetuar më tepër policia e kryeqytetit, lidhur me ekzekutimin e disa ditëve më parë në rrugën “Irfan Tomini”, ku mbeti i vrarë Ardian Tahiri. Sipas burimeve, qysh në fillim u dyshua si një krim për qëllime hakmarrjeje, për nga mënyra se si është kryer. Vrasja e vëllait të personit tashmë të dyshuar, Fiqiri Avdillari, krim i ndodhur vjet në shkurt në Greqi mësohet të ketë pasur dyshime se është kryer nga fierakë. Kjo ka qenë arsyeja pse dyshimi për vrasësit e të vëllait të autorit të dyshuar dhe origjina e viktimës i çojnë në pistën e hakmarrjes hetuesit. Viktima Tahiri rrinte në Greqi dhe ishte me origjinë nga Driza e Fierit. Ai kishte vetëm pak ditë në Shqipëri dhe në momentin e krimit ndodhej në shoqërinë e një shokut të tij, Roland Caka, i cili ka mbetur i plagosur. Ditën e djeshme rreth orës 17:00 u bë i mundur arrestimi i personit të dyshuar si autor i krimit, 36-vjeçarit Fatmir Avdillari. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit. Fatmir Avdillari akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, “plagosjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›