Prençi: Respektoni ligjin para dhe gjatë procesit zgjedhor
Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe zëvendësi i tij, Rasim Boriçi, zhvilluan dje një takim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë me drejtorët e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë, me shefat e Rendit dhe Sigurisë Publike, shefat e komisariateve, si dhe me drejtorët rajonalë të kufirit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, qëllimi i këtij takimi ishte dhënia e disa porosive nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në lidhje me rolin e Policisë së Shtetit para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor, si dhe për plan-veprimin e miratuar së fundi në lidhje me marrjen e masave për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, mbeten ende mjaft problematike dy zona për kultivimin e kanabisit, lumi i Vlorës dhe Lazarati. Gjatë takimit, zoti Prençi ka falënderuar drejtuesit e policisë për angazhimin e policisë për detyrimet e saj, për anëtarësimin në NATO dhe së dyti, pasi ekspertët e huaj të ardhur nga Bashkimi Evropian për të monitoruar procesin e liberalizimit të vizave, nga kontaktet e pasura me punonjësit dhe drejtuesit e policisë në rrethe të ndryshme të vendit, ishin shprehur mjaft pozitivë për procesin dhe plotësimin e detyrimeve që ka policia në këtë proces.
Roli i policisë në zgjedhje
Z. Prençi, gjatë fjalës së tij, është ndalur në rolin e policisë në zgjedhje, ku ka theksuar me forcë që policia të zbatojë vetëm ligjin dhe jo të bëhet palë me ndonjë subjekt politik. “Punonjësi i policisë në rast se zbaton ligjin të mos ketë frikë nga deklaratat politike. Ne jemi punonjës të shtetit dhe Kryeministri i Republikës ka përcjellë mesazhe të qarta për policinë. Çdo implikim i punonjësit të policisë në procesin zgjedhor do jetë kthim mbrapa. Ne si drejtues qendrorë dhe ju si drejtues në qarqe do të monitorojmë çdo veprim të punonjësve të policisë dhe kushdo qoftë ai, punonjës që do të shkelë ligjin, do të ndëshkohet me masën më të rëndë disiplinore, deri në përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit. Ju kërkoj që të angazhoheni më tepër në këtë drejtim, me qëllim që policia të tregojë vlera të zbatimit të ligjit, sikundër edhe në zgjedhjet e fundit”, - theksoi drejtori i Përgjithshëm.
Kultivimi i kanabisit, zonat problematike
Drejtori i Përgjithshëm është ndaluar edhe në angazhimin që drejtuesit e policisë duhet të kenë për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar më shumë problematike lumin e Vlorës dhe Lazaratin në rrethin e Gjirokastrës. Prençi ka deklaruar prerë se në këto dy qarqe, por edhe në qarqe të tjera që vitin e kaluar është konstatuar kultivimi i bimëve narkotike, të merren masa që këtë vit pavarësisht se është vit zgjedhor, të mos lejohet kultivimi i tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë do t’u garantojë mbështetje drejtorive të qarqeve për këtë aksion. Sipas Prençit, askush të mos mendojë se meqë jemi para zgjedhjeve, policia do të tolerojë këtë fenomen. Një problem tjetër që zoti Prençi ka bërë prezent ishte në lidhje me komunikimin e strukturave të policisë me median dhe publikun. Ai ka kërkuar që titullarët e komisariateve dhe të drejtorive të jenë të gatshëm të presin çdo qytetar për çdo lloj problemi. Drejtuesit e drejtorive të bëjnë transparencë të plotë gjithë veprimtarinë e policisë në procesin zgjedhor. Policia në zgjedhje ka detyrat e veta ligjore, por kjo s’do të thotë të lëmë pas dore luftën ndaj krimit. Në vijim të fjalës së tij, zoti Prençi ka tërhequr vëmendjen për sjelljen e punonjësve të policisë me qytetarët, duke kërkuar që polici të nderojë qytetarin dhe të ndëshkojë shkelësin e ligjit dhe jo anasjelltas. Një problem tjetër shqetësues për zotin Prençi ishte edhe rritja e vjedhjeve të pronës, kryesisht nga moshat adoleshente, pavarësisht që ky fenomen nuk është vetëm në Shqipëri, por më gjerë. Ai ka kërkuar që të rritet forca goditëse dhe zbuluese, si dhe të ketë një angazhim më të madh të strukturave përkatëse. Gjithashtu, në përfundim të fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se në çdo qark do të ketë nga një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme, ekspert i Komunitetit Ndërkombëtar, për të monitoruar veprimet e punonjësve të policisë.
Trajnimet
Më pas, fjalën e ka marrë zoti Boriçi, ku ka theksuar se javës që vjen do të fillojnë trajnimet për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për zgjedhjet. “Në bashkëpunim me OSBE-në, po përgatiten detyrat funksionale të punonjësve të policisë gjatë procesit zgjedhor dhe do të afishohen në çdo komisariat dhe drejtori. Në takim janë diskutuar edhe probleme të tjera, që kanë të bëjnë me problematikën e përditshme të policisë, ku janë dhënë porositë përkatëse nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Këto takime do të vijojnë me të gjitha Drejtoritë e Qarqeve dhe të Kufirit në të gjithë vendin.