Vlorë; Nxirren predhat në Ujin e Ftohtë
Efektiva të ushtrisë shqiptare dhe asaj holandeze të inkuadruar në trupat e NATO-s kanë nisur një operacion për nxjerrjen e një sasie të madhe predhash në zonën e Ujit të Ftohtë, në afërsi të qytetit të Vlorës. Sipas burimeve zyrtare, operacioni mban emrin e koduar “Albania Lion 09” dhe po zhvillohet në zonën e Ujit të Ftohtë, ku një vit më parë u zbuluan sasi të mëdha predhash luftarake të cilat mendohet sa janë hedhur gjatë trazirave të vitit 1997. Ky është operacioni i dyte i këtij lloji pas atij të zhvilluar një vit më parë nën emrin “Plazhe të pastra”, ku u hoqën rreth 30 tonë predha. Drejtuesit e operacionit kanë vlerësuar faktin se ky është dhe aktiviteti i parë në të cilin impenjohet ushtria shqiptare, pasi vendi u pranua anëtar me të drejta të plota në NATO në 4 prill të këtij viti.
Tiranë
Akuzohen për falsifikim, arrestohen tre persona
Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve. Gjatë orëve të vona të natës së djeshme specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar kryen arrestimin në flagrancë Fatmir Sorrës, 55 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh si dhe Elvis Basholli, 24 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Ndërkohë që do të procedohet në gjendje të lirë edhe shtetasi Fatbardh Agolli, 35 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, këta persona u kapën në flagrancë në afërsi të Rrugës së Kavajës në kryeqytet gjatë momentit të shkëmbimit të një leje drejtimi e cila dyshohet të jetë e falsifikuar, në një automjet. Leja e drejtimit dhe automjeti tip “Mitsubishi Pajero”, me targa GD53LCF, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ata u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës. Personat e ndaluar akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim.